Nafta virxhin, Apeli lë në burg biznesmenin Elezaj
Tiranë- Gjykata e Apelit vendosi të lërë dje në qeli biznesmenin Hajri Elezaj, i akuzuar nga Prokuroria si “truri” i kontrabandës së naftës virxhin, përgjatë viteve 2007-2009. Bashkë me të, Apeli la në qeli edhe dy punonjës të kompanisë “Fisheku”, që dyshohet se kanë ndihmuar në transportin e virxhinit: Vladimir Koteci dhe Kadri Hajredini. Mesditën e djeshme trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Valdete Hoxha mori në shqyrtim kërkesat e avokatëve mbrojtës të të arrestuarve, për ndryshimin e masave të sigurimit, të vendosur pak ditë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Avokati i biznesmenit Hajri Elezaj kërkoi nga Apeli ndryshimin e masës së sigurimit për klientin e tij, pasi prej kohësh ka shfaqur problem me gjendjen shëndetësore. Mbrojtësi i biznesmenit paraqiti në gjykatë edhe kartelën mjekësore të biznesmenit Elezaj, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në reanimacionin e repartit të kardiokirurgjisë në QSUT. Pavarësisht këtyre provave, gjykata vendosi të lërë në fuqi të njëjtën masë sigurimi për pronarin e kompanisë “Euroil”, e cila, sipas Prokurorisë, ka blerë gjithë sasinë e naftës virxhin përgjatë viteve 2007-2009. Apeli gjithashtu nuk mori në konsideratë as pretendimet e dy të arrestuarve të tjerë, Vladimir Koteci dhe Kadri Hajredini, duke lënë në fuqi për ta të njëjtën masë sigurimi që kishte vendosur Shkalla e Parë. Deri tani, Gjykata e Apelit ka vlerësuar masat e sigurimit për 10 nga 12 të arrestuarit për skandalin e naftës virxhin. Ende nuk janë përballur me Gjykatën e Apelit dy zyrtarët e tatimeve dhe doganave, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën në lidhje me këtë çështje. Sipas gjykatës, kërkesat e doganierit të Portit Vlorë, Edmond Ferra, dhe inspektorit të Tatimeve në Fier, Dashamir Kasaj, do të shqyrtohen më datën 31 mars. Pak ditë më parë Prokuroria urdhëroi arrestimin e 14 personave, të cilët dyshohet se janë përfshirë në skandalin e naftës virxhin, e cila zyrtarisht blihej me qëllim eksportin, ndërsa transportohej drejt Golemit, ku përzihej me benzinën për t’u rihedhur në treg si karburant i pastër.