E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy miqtë e Aleks Nikës, dëshmi për Prokurorinë

SHKRUAN: Leonard Bakillari 30-03-2011 19:58

Prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje dy nga miqtë e Aleks Nikës, të cilët ndodheshin me të gjatë demonstratës së 21 Janarit, ku Nikaj mbeti i plagosur, rëndë duke ndërruar jetë pak ditë më vonë në Turqi. Duke qenë se predha e gjetur në trupin e tij nuk është vënë ende në dispozicion të prokurorëve, hetuesit e çështjes kanë marrë në pyetje personat që kanë qenë së bashku me Nikën në bulevard gjatë momenteve të ngjarjes. Përcaktimi i vendndodhjes së 36-vjeçarit, në momentin kur është qëlluar, sipas Prokurorisë, ka qenë objektivi kryesor në radhën e pyetjeve që u janë drejtuar dy miqve të Aleksit, të cilët e shoqëronin ditën e ngjarjes. Në deklarimet e tyre, dëshmitarët okularë kanë treguar vendndodhjen e mikut të tyre dhe momentet e tmerrit, kur Aleks Nikaj është qëlluar me plumb në kokë. Sipas dëshmitarëve, Nikaj ndodhej mes Kullave Binjake dhe godinës së Kuvendit të Shqipërisë kur është qëlluar, dhe menjëherë është transportuar drejt Spitalit Ushtarak, ku qëndroi për disa ditë në koma. Transportimi i tij është filmuar vetëm nga kamerat e një televizioni, ku i plagosuri shfaqej në krahët e dy personave me një rrip të lidhur përreth kokës, me qëllim ndalimin e hemorragjisë. Ende nuk dihet se çfarë kanë thënë konkretisht dëshmitarët, kur janë pyetur se kush ka qëlluar mbi mikun e tyre, por mësohet se ata kanë deklaruar se predha ka ardhur nga Kryeministria. Tashmë Prokuroria është në pritje të predhës që ndodhet në Turqi, për të përcaktuar armën që ka qëlluar ndaj 36-vjeçarit. Predha është kërkuar zyrtarisht me anë të letërporosisë dhe pritet të vihet në dispozicion të akuzës së shpejti. Deri tani, Prokuroria ka siguruar vetëm armën që ka qitur predhën që i mori jetën Ziver Veizit, e cila i përket majorit Agim Llupo, që tashmë ndodhet i arrestuar për akuzën e vrasjes me dashje në bashkëpunim. Ekspertët ende nuk kanë mundur të përcaktojnë predhën e gjendur në trupin e Faik Myrtos, i cili gjithashtu është vrarë në një distancë relativisht të afërt me Aleks Nikën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›