21 Janari, eksperiment hetimor me të plagosurit në Bulevard
Tiranë- Një nga episodet e demonstratës së 21 Janarit, që ka të bëjë me plagosjen e shtatë personave, është riprodhuar dje nga Prokuroria në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Paraditen e djeshme grupi i hetuesve të çështjes dhe të plagosurit kanë zbarkuar në bulevard, për të kryer eksperimentin hetimor, që pritet të ngushtojë rrethin e hetimeve ndaj të dyshuarve. Burime të rezervuara thanë se ky veprim hetimor ka pasur si qëllim të përcaktojë vendndodhjen e saktë të të plagosurve me armë zjarri më 21 Janar, si dhe drejtimin e personave që kanë qëlluar mbi ta. Të gjithë të plagosurit, dy nga Saranda, tre nga Tirana dhe dy të plagosurit e tjerë janë çuar në Bulevard, ku fillimisht janë pyetur për pozicionin e tyre në momentet që janë plagosur. Secili nga të plagosurit është vendosur në pozicionin që ka deklaruar se ndodhej në momentet e ngjarjes, dhe prej aty hetuesit e çështjes, por edhe ekspertët që kanë asistuar këtë veprim, kanë mundur të krijojnë një skemë për ngjarjen. Artes Dybeli, 23-vjeçari nga Laknasi, i plagosur në qafë dhe shpatull; Ilia Papa nga Saranda, i plagosur në krah; Erald Bisha nga Tirana, i plagosur në gjoks; Ilia Qesku nga Saranda; si dhe tre të plagosurit e tjerë kanë përcaktuar në mënyrë të saktë pozicionin e tyre kur dhe janë plagosur nga plumbat që dyshohet të kenë ardhur prej Kryeministrisë. Të gjithë të plagosurit, sipas Prokurorisë, janë qëlluar brenda një intervali shumë të shkurtër kohe, ndërsa vendndodhja e tyre ka qenë pranë njëri-tjetrit. Ky fakt është konfirmuar edhe nga vetë të plagosurit, pjesa më e madhe e të cilëve ndodhej mes godinës së Kuvendit të Shqipërisë deri në skajin verior të Kullave Binjake, në pozicion diagonal me Kryeministrinë. Mësohet se, pasi të plagosurit kanë identifikuar vendndodhjen e saktë, ekspertët e caktuar për kryerjen e këtij eksperimenti hetimor kanë kryer matjet e nevojshme, të cilat do të përcaktojnë edhe drejtimin e saktë të qitjes që dyshohet se mban autorësinë e gardistëve. Madje, ky ka qenë edhe qëllimi kryesor i eksperimentit hetimor të zhvilluar ditën e djeshme, me anë të të cilit Prokuroria synon të përcaktojë në mënyrë të saktë vendin nga ku kanë ardhur plumbat. Mësohet se të pranishëm gjatë kryerjes së këtij eksperimenti kanë qenë edhe disa nga gardistët që ndodheshin me shërbim pranë Kryeministrisë më 21 Janar. Ende nuk ka një përfundim të saktë për veprimin e djeshëm hetimor, por nga të dhënat e para mësohet se plumbat kanë ardhur nga dy pozicione kyçe. Pozicioni i parë, ku kanë qenë të vendosur edhe gardistët e cilësuar si “grupi i zjarrit”, përkon me pjesën veriore të Kryeministrisë, ndërsa pozicioni i dytë është në pjesën e përparme të godinës. Të dhënat e mbledhura nga eksperimenti hetimor, që ka pasur si objekt vetëm të plagosurit, i është nënshtruar dje një analize të detajuar në Prokurorinë e Tiranës.