Atentati ndaj 27-vjeçarit, asnjë gjurmë nga autorët
Ndonëse kanë kaluar dy ditë nga atentati ndaj të riut vlonjat, Klodian Haxhiraj, policia ende nuk ka një variant zyrtar të ngjarjes. Sipas drejtorit të policisë së Vlorës, Ylli Metko, po punohet në disa pista. “Po hetojmë në të gjitha drejtimet. Që nga problemet që 27-vjeçari mund të ketë pasur këtu, duke mos përjashtuar dhe ndonjë histori rozë, e deri në Itali ku jeton vëllai i tij binjak. Pistat sa po vijnë e po ngushtohen dhe nesër do të dalim me një komunikatë zyrtare për ngjarjen. Më shumë nuk mund të them”, deklaroi për “Shqip” drejtori i Policisë së Vlorës. Ndërkaq, gjendja shëndetësore e 27-vjeçarit është ende e rëndë. Drejtori i Spitalit Rajonal të Vlorës, Besnik Elezi, ka thënë për “Shqip” se gjendja shëndetësore e të riut është përmirësuar. Sipas tij, rreziku i jetës është kaluar, por plagët që ka marrë janë shumë të rrezikshme për të shfaqur ndërlikime. Më tej Elezi ka sqaruar se është ngritur një ekip mjekësh, që po mban nën kontroll gjendjen shëndetësore të tij. Ndërkohë është konkluduar që këmba e majtë të pritet, për shkak të dëmtimeve të venave. Ndërkohë, mësohet se i riu rrezikon trombozë, pasi dhe plagët janë të shumta dhe ky është shqetësimi më i madh i ekipit mjekësor për momentin. Ndërkaq, miq dhe të afërm të të plagosurit kanë mbushur korridorin jashtë repartit të reanimacionit për të vizituar 27-vjeçarin, që duket se ka reaguar. Por policia dhe mjekët nuk kanë lejuar askënd të komunikojë me të. Klodian Haxhiraj, mësues fizkulture në një shkollë të mesme private, ra pre e një atentati pak para mesnatës së të dielës.
#