E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkohej për vrasje, shkoi të vizitonte shokun në spital

Gjirokastër Ishte dënuar për një vrasje të vitit 2006, që u pasua me trazira në qytet

Shkon të vizitojë një shok në spital, përfundon në pranga i riu gjirokastrit i shpallur në kërkim dhe dënuar me 5 vjet burg për vrasje. Burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se Klejdis Qepa, 26 vjeç, banues në Gjirokastër është arrestuar rreth orës 21:30 të së hënës pranë spitalit rajonal. Ai kishte shkuar të vizitonte një shokun e tij të sëmurë, por është ndaluar nga uniformat blu. Ky shtetas ishte i shpallur prej një viti, pasi Gjykata e Apelit Gjirokastër në datën 17 qershor 2009, e kishte dënuar me 5 vjet burg, për veprat penale të “Vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme në bashkëpunim”, si dhe të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor 26-vjeçari Qepa ka ndodhur më datë 11 nëntor të vitit 2006 në lokalin “Energy Pub”, në qendër të lagjes “18 shtatori” të Gjirokastrës. Sherri mes pronarit të lokalit, mik me Qepën dhe tre lazaratasve përfundoi me vrasjen e një 26-vjeçari dhe një plagosjen e një 32-vjeçari. Kamber Toto nga Lazarati kishte shkuar në lokalin “Energy Pub”, ku ishte grindur me kamerierin. Në ndihmë të këtij të fundit ka ndërhyrë pronari i lokalit, Agim Qendro, që në grindje e sipër ka qëlluar me grusht klientin. Pas sherrit, Toto u ka telefonuar tre kushërinjve të tij nga fshati Lazarat që të vinin për të larë hesapet. Rreth orës 19:00 të po asaj date, Kamber Toto së bashku me kushërinjtë e tij, Agron dhe Bledar Toto, si dhe Gurgas Selimin, shkuan tek "Energy Pub" për t‘u sqaruar me Agim Qendron dhe vëllain e tij, Robertin, nga qyteti i Memaliajt. Por Agimi nuk ndodhej aty, por në një lokal lojërash fati pak më larg. Sherri është zhvendosur në këtë lokal. Agim Qendro, që ndodhej në kazino duke luajtur në ruletë së bashku me shokun e tij, Klejdis Qepa, pas hyrjes së grupit të lazaratasve ka nxjerrë një pistoletë, që e kishte me vete dhe ia ka vënë në kokë Kamber Totos, duke e tërhequr deri në lokalin e tij. Sapo kanë hyrë në "Energy Pub", Agim Qendro ka gjuajtur me pistoletë drejt grupit të lazaratasve, duke plagosur rëndë 26-vjeçarin Gurgas Selimi, i cili disa minuta më vonë humbi jetën në spital, ndërkohë që plagosi edhe Agron Toton, 32 vjeç. Klejdis Qepa u konsiderua bashkëpunëtor në këtë vrasje, që u klasifikua si vetëmbrojtje, pasi edhe viktimat ishin të armatosur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›