Lidh djalin me zinxhir, pranga emigrantit shqiptar
Një djalë 12-vjeçar u shfaq në rrugët e qytetit Lehaina të Ilias në Greqi me zinxhir të lidhur në qafë dhe denoncoi në polici se ishte lidhur nga i ati, në shenjë ndëshkimi. Bëhet fjalë për një familje emigrantësh shqiptarë në Greqi, të cilët janë bërë protagonistë të një ngjarjeje të shëmtuar, raportohet në agjencitë e lajmeve. Babai 44-vjeçar, e ka lidhur djalin e tij 12-vjeçar, me një zinxhir, në kaloriferin e dhomës së ndenjes në banesën e tyre në Lehaina. Pas kësaj është larguar nga shtëpia për në punë. Sikundër ka treguar i vogli, ka qëndruar për disa orë në atë gjendje dhe më pas ka arritur të shkëputet nga kaloriferi, por zinxhiri i ka mbetur i lidhur në qafë ndaj kur ka dalë nga shtëpia, ka kërkuar ndihmë. Aty afër gjendej një servis makinash dhe punonjësit atje kanë arritur t’ia shkëpusin nga qafa zinxhirin e lidhur. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka arrestuar babanë 44-vjeçar. Ai ka deklaruar se e kishte kryer këtë akt, pasi i biri ishte shumë i dhunshëm dhe “nuk linte dy gurë bashkë”. Sipas 44-vjeçarit, qëllimi i tij ishte që të qëndronte i qetë kur të mungonte disa orë në shtëpi, ndaj e kishte lidhur që të mos ikte nga shtëpia.
#