E Shtunë, 31 Tetor 2026

Merr peng të dashurin e mbesës, për ta bindur të martohej

Korçë Vajza 14 vjeçe u “arratis” nga shtëpia të dielën dhe u gjet nga policia të hënën

Aventura e 14-vjeçares rome që u shpall në kërkim policor dy ditë më parë ka çuar në pengmarrjen e një të riu nga Korça. Familjarët e Sh.Xhambazi, e cila u largua nga shtëpia për më shumë se 24 orë, kanë zbuluar se vajza nuk kishte qenë vetëm, por ishte larguar me të dashurin e saj. Aventura e çiftit nuk është pritur mirë nga të afërmit e së miturës, të cilët kanë marrë peng të riun korçar për ta detyruar të finalizojë në martesë lidhjen me 14-vjeçaren. Burimet policore kanë bërë të ditur se ka qenë xhaxhai i vajzës rome që ka marrë peng të dashurin e saj, me inicialet M.T. duke i bërë presion që të martohet me të mbesën. Sapo ka mundur të shpëtojë, i riu ka bërë denoncim në polici ku ka deklaruar se xhaxhai i vajzës, 40-vjeçari Arben Xhambazi, e ka marrë peng dhe e ka kanosur. M.T. ka pretenduar në polici se Arben Xhambazi e ka thirrur fillimisht për t’u sqaruar dhe më pas e ka marrë në mjetin e tij tip “Mercedes Benz” me targa KO7255B dhe nën kërcënime të vazhdueshme e ka çuar deri në periferi të qytetit, ku më pas e ka lënë të lirë. Djali ka rifituar lirinë vetëm pasi ka pranuar nga frika kushtin për të marrë për grua mbesën e tij minorene. Sipas policisë, pengmarrja ka lidhje me largimin dy ditë më parë të 14-vjeçares Sh. Xhambazi. Ajo kishte ikur në drejtim të qytetit të Bilishtit bashkë me të dashurin e saj, me të cilin do të tentonte të kalonte kufirin drejt Greqisë. Por vajza u gjet nga policia një ditë pas largimit të saj dhe pasi u kap në Bilisht u kthye në familjare. Vajza përpara presionit të prindërve u ka treguar atyre të vërtetën, duke pohuar lidhjen e dashurisë që kishte me të riun korçar. Kjo histori ka pasuar me reagimin e ashpër të familjarëve, të cilët kanë kërkuar me çdo kusht nga djali që lidhja mes tyre të mbyllej me martesë. Tashmë, xhaxhai i vajzës do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për heqje të paligjshme të lirisë dhe kanosje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›