E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Postribë, për disa drurë lisi

Vëllai i kishte shitur tokën vëllait, por pretendonte ende pronësinë e pemëve

Pronësia mbi lisat ka qenë shkaku i duelit me pistoleta të dy vëllezërve të moshuar nga fshati Domën i Shkodrës. Policia ka zbardhur ngjarjen që tronditi fshatin e thellë malor pasditen e së hënës, ndërkohë që ka shpallur në kërkim njërin prej djemve të Hysni çelës si pjesëmarrës në krim. Grupi hetimor ka zbardhur dhe detajet e këtij krimi të rëndë ku mësohet se njëri nga vëllezërit ia kishte shitur tokën vëllait të tij disa muaj më parë. Por tashmë ai pretendonte se tokën e kishte shitur pa pemët dhe kërkonte pronësinë e tyre. Ky pretendim është bërë shkak për nxjerrjen e armëve dhe vdekjen e dy vëllezërve çela.

Mësohet se dy vëllezërit Isa dhe Hysni çela, përkatësisht 76 dhe 79 vjeç, ishin takuar në qendër të fshatit Postribë paraditen e së hënës. Isai, i cili prej disa kohësh ishte larguar nga fshati Domën, i ka kërkuar të vëllait të mos i priste lisat që ndodheshin në tokën që i kishte shitur kohë më parë. Sipas 76-vjeçarit toka ishte shitur pa pemët, kështu që nuk duhet t’i prekte. Xhelozia për përfitimin që mund të kishte i vëllai pas shitjes së drurit të lisave ka provokuar konfliktin mes dy të moshuarve.
Konflikti kishte lindur para disa javësh dhe dy vëllezërit nuk kanë rënë në konsensus. Në lojë është futur edhe pleqësia e fshatit, por pa i dhënë dot zgjidhje situatës.

Pasditen e së hënës, 76-vjeçari Isa çela ka shkuar te toka që i kishte shitur të vëllait, në vendin e quajtur Bjeshkët e Domnit. Por sapo ka mbërritur aty, ka parë të vëllain, Hysniun, duke i prerë lisat. Sherri ka rinisur sërish, duke degjeneruar në përdorimin e armëve të zjarrit mes dy palëve. Sipas policisë, ka qenë Isa çela ai që ka qëlluar i pari mbi të vëllain, Hysniun, duke e lënë të plagosur. Por dhe ky i fundit është përgjigjur me armë zjarri.

Në këtë moment ka ardhur edhe djali i të plagosurit, Selim çela, i cili pasi ka parë të atin të plagosur nga i vëllai, ka goditur xhaxhain me mjete të forta në kokë, duke e lënë të mbuluar me gjak dhe pa ndjenja. Më pas Hysni çela, bashkë me të birin janë larguar nga vendi i ngjarjes. Për shkak të plagëve të marra 79-vjeçari nuk ka mundur të ecë dhe është gjetur i plagosur pak metra larg vendit të ngjarjes. Në lidhje me krimin e dyfishtë policia është njoftuar disa orë me vonesë, pasi vendi ku ka ndodhur ngjarja nuk ka rrugë komunikimi dhe mungon sinjali telefonik. Banorëve të zonës dhe familjarëve u është dashur të ecnin rreth një orë në këmbë derisa të dilnin në një zonë ku ka sinjal telefoni për të lajmëruar më pas policinë.

Sapo ka mbërritur policia ka transportuar dy vëllezërit e plagosur, por çdo gjë ka qenë e kotë. Ata kishin humbur shumë gjak dhe kanë ndërruar jetë sapo kanë mbërritur në spital. Ndërkohë, policia ka organizuar aksione në zonën e thellë malore për kapjen e shtetasit Selim çelaj, që dyshohet se ka vrarë xhaxhain e tij, Isa çelaj. Ky shtetas u kap në orët e mbrëmjes së djeshme jo shumë larg fshatit. Sipas banorëve të zonës, ky është rasti i parë për të paktën 60 vitet e fundit që dy vëllezër vrasin njëri-tjetrin për pronën. Sipas të afërmve, ceremonitë mortore të dy vëllezërve u organizuan të ndara, madje edhe në varreza të ndryshme.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›