Atentati ndaj Nunit, pas darkës me miqtë
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, është qëlluar nga një person poshtë pallatit të tij pak minuta pasi ishte larguar nga një lokal
Nuni është qëlluar katër herë me një armë zjarri pistoletë ndërsa autori është larguar me një motor i shoqëruar nga një person tjetër
TIRANE -"Më qëlluan në hyrje të pallatit". Kështu i ka pohuarArdian Nuni, bashkëshortes së tij vetëm pak momente pasi i kishte shpëtuar atentatit të kryer ndaj tij nga një i panjohur. Megjithëse kishte pesë plagë në trup, 40- vjeçari, ka mundur të ngjitet nëpërmjet ashensorit në apartamentin e tij në katin e shtatë të pallatit ku banon për të lajmëruar familjen e tij.
Nuni mësohet se sapo ishte larguar nga një lokal ku mësohet se kishte darkuar me disa miq mes të cilëve edhe Avokati i Popullit Ermir Dobjani. Këta të fundit dhe disa të persona të tjerë, kanë mundur ta transportojnë në spital gjyqtarin Nuni. Pas ndërhyrjes mjekësore, Nuni ka mundur të shpëtojë nga rreziku që i kanosej për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë.
Atentati ndodhi rreth orës 23:30 të mbrëmjes të së dielës në hyrje të pallatit ku banon, anëtari i Gjykatës së Lartë, në rrugën "Komuna e Parisit" në Tiranë. Sipas hetimit të kryer, një person rreth moshës 25-vjeç i është afruar nga pas 40-vjeçarit Nuni, duke shkrehur pistoletën së paku katër herë ndaj të tij, duke e lënë të gjakosur. Pasi ka qëlluar, ndaj anëtarit të sapozgjedhur të Gjykatës së Lartë, autori është larguar me një motoçikletë që drejtohej nga një person tjetër.
Në orët e vona të mbrëmjes të së dielës gjyqtari Ardian Nuni po kthehej në banesën e tij që ndodhet në rrugën "Komuna e Parisit" në kryeqytet, pas një darke me disa miq. Gjyqtari, nuk ka gjetur vend për të parkuar makinën, dhe ka qenë i detyruar atë të bëjë disa xhiro nëpër rrugicat pranë pallatit për të gjetur një vend të lirë për të vendosur automjetin e tij. Sipas dëshmisë që vetë gjyqtari ka dhënë, gjatë kohës që po përpiqej të gjente vend parkimi për makinën e tij, ka konstatuar dy persona me një motor. Por ai nuk ka dyshuar se ata ndodheshin aty pikërisht për të.
Pasi ka gjetur vend për automjetin Nuni është drejtuar për te pallati i tij, ku në hyrje i është afruar një person. Ky i fundit ka qëlluar me pistoletë disa herë në drejtim të gjyqtarit duke e lënë të shtrirë në hyrje të pallatit, duke menduar se ai kishte vdekur.
Gjyqtari
Pasi ka kuptuar se autori ishte larguar, i plagosuri, sipas burimeve është ngritur pavarësisht plagëve dhe ka mundur të përdorë ashensorin dhe me të është ngjitur në apartamentin e tij në katin e shtatë të pallatit. Mësohet se sapo ka mbërritur në banesë 40-vjeçari ka treguar bashkëshortes se tij se ishte qëlluar me pistoletë nga një person poshtë pallatit. Ndërkohë që të lajmëruar për atentatin, forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes dhe u shoqërua disa persona si dëshmitarë. Atentati ku mbeti i plagosur gjyqtari vuri në lëvizje policinë e Tiranës si, ndërsa u angazhuan edhe strukturat e hetimit të krimit në Policinë e Shtetit. Në shumë kryqëzime pranë Tiranës së Re ku ndodhi dhe ngjarja u vendosën shërbime për të rënë në gjurmët e autorëve. Gjatë natës dhe ditës së djeshme policia shoqëroi rreth 25 persona të cilët u gjetën në vendin e ngjarjes si dhe të dyshuar si autorë të atentatit. Por deri në orët e vona të mbrëmjes policia nuk ka mundur të identifikojë autorin e kësaj ngjarjeje.