E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, 150 banorët e ish-konviktit, në qiell të hapur


KORÇË- Më shumë se 150 banorë kanë mbetur në udhëkryq në Korçë pas largimit nga godina ku jetonin prej më shumë se 20 vjetësh.


Fjala është për një pjesë të banorëve të ish-konviktit të ndërtimit, të cilët janë larguar nga bashkia e qytetit rreth një muaj më parë. Largimi ka qenë i detyruar jo për arsye të ndonjë banese të re në kushte normale, që nuk rrezikonte jetën e tyre, por për një investim të pjesshëm në një nga muret kryesore të ndërtesës.


Por ndërsa banorët kanë lënë ato dhoma të mbushura me mjerim, kanë mbetur pa asnjë çati pasi punimet nuk kanë përfunduar ende.

Bashkia e qytetit kishte marrë përsipër që brenda pak javëve të rindërtonte murin e rrëzuar, i cili mund të shkaktonte dhe shembjen gati të plotë të godinës.


Kushtet e këqija klimaterike të motit, por dhe ngadalësia e punimeve kanë lënë në mëshirë të fatit banorët të cilët të dëshpëruar nga gjithçka e keqe që iu ndodh në jetë, shkojnë çdo ditë pranë ish-shtëpive të tyre me shpresën se do t'u jepet urdhri për rifutjen në banesë.


Drama e mungesës së shtëpive për ta ka kohë që ka nisur, kurse tani për më tepër iu duhet të jetojnë jashtë, madje pjesa më madhe e këtyre familjeve kanë ngritur disa çadra të përkohshme në natyrë.


Nuk dihet se kur do të ketë ndonjë shpresë për këto familje që presin për të rigjetur të paktën strehën e tyre ndonëse në kushte mizerabël.


Njëra prej banoreve, Aneta Mici, tregon se është detyruar që për më shumë se tri javë me katër fëmijët e saj dhe bashkëshortin e sëmurë të jetojnë në një çadër.


Ajo thotë se djalin 5-vjeçar e ka shtruar në spital, ndërsa gjendja e tij është kritike pas kushteve në të cilat i duhet të jetojë.


Ish-konvikti i ndërtimit prej afro dy dekadash popullohet nga 120 familje, të cilat e kanë përshtatur atë në një banesë kolektive.


Godina 5-katëshe ka probleme të mëdha, ndërsa mungesa e rrjetit të shkarkimeve të ujërave të zeza ka krijuar probleme të tjera.

Më shumë se një muaj më parë, atëherë kur bashkia vendosi të largojë pjesën më të rrezikuar të banorëve për të rindërtuar muret e rrëzuara, specialistët e higjienës së Shëndetit Publik e shpallën ish-konviktin të pabanueshëm.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›