Librazhd, treni bllokohet nga dherat
RRËSHQITJA/ Mbi 200 udhëtarë u detyruan të zbresin nga treni e të marrin makinat e rastit për të lëvizur
Inxhinierë të hekurudhës shprehen se as sot nuk pritet që të mund të zhbllokohet nga dherat pjesa e rrugës
LIBRAZHD - Bllokohet treni i linjës Tiranë-Pogradec në Librazhd për shkak të shembjes së një masivi dheu. Ndërsa aksi rrugor u bllokua për rreth një orë e më pas automjetet mundën të lëviznin në një korsi, pjesa e hekurudhës vazhdon të mbetet e bllokuar, ndërsa pritet që për zhbllokimin e saj të punohet edhe sot. Nga ana tjetër, rreth 200 pasagjerë që ndodheshin në tren janë detyruar të marrin makina të rastit për të mbërritur në destinacionin e tyre.
Ka qenë ora rreth 10:00 e paradites së të hënës koha në të cilën një masiv dheu është shembur si rezultat i shirave të shumtë dhe motit të keq.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Kthesat e Dragostunjës në rrethin e Librazhdit. Si rrjedhojë, shinat e trenit janë zhvendosur, pasi sasia e dheut e rënë në rrugën hekurudhore, por edhe atë automobilistike ka qenë shumë e madhe.
Për pasojë, treni i linjës Tiranë-Pogradec ka mbetur i bllokuar në këtë vend, duke lënë të bllokuar edhe mbi 200 udhëtarë që ndodheshin në të.
Të mbetur aty për një kohë të gjatë dhe pasi është konstatuar se treni nuk do të lëvizte përgjatë gjithë ditës, pasagjerët nuk kanë parë zgjidhje tjetër, përveçse të merrnin makina të rastit dhe të mbërrinin në destinacionin e tyre.
Por edhe kjo ka dashur kohën e vet, pasi bllokimi i rrugës automobilistike ka ndaluar qarkullimin e automjeteve nga Librazhdi në Pogradec dhe anasjelltas.
Rruga ka qëndruar e bllokuar për mëse një orë dhe vetëm pas ndërhyrjes me mjete të rënda është bërë i mundur qarkullimi, por vetëm në një korsi.
I pyetur lidhur me situatën, inxhinieri i Hekurudhës, Skënder Sinani, shprehet se "do të punohet përgjatë gjithë ditës së sotme (dje) dhe gjatë natës për zhbllokimin e situatës", duke shpresuar se të martën do të mund të lirohet rruga hekurudhore për të vijuar linja e trenit.
Ka qenë policia rrugore ajo që ka mbajtur nën kontroll situatën dhe fatmirësisht nuk ka pasur aksidente.
Treni i bllokuar nuk do të lejohet as sot për të shkuar në Pogradec. Mësohet se janë mbi 100 metra kub dhera të rëna nga lartësia e tunelit, të cilat kanë hapur e shkatërruar linjën hekurudhore.
Me mjetet e rënda është bërë i mundur zhbllokimi i rrugës automobilistike, por për linjën hekurudhore do të vazhdohet të punohet nga specialistët e hekurudhës.
Somario: Si rrjedhojë, shinat e trenit janë zhvendosur, pasi sasia e dheut e rënë në rrugën hekurudhore, por edhe atë automobilistike ka qenë shumë e madhe. Treni i linjës Tiranë-Pogradec ka mbetur i bllokuar në këtë vend, duke lënë të bllokuar edhe mbi 200 udhëtarë