E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi i djemve të Toçit, paralajmërohen protesta në Gjirokastër

GJIROKASTËR- Paralajmërohen të tjera protesta atdhetare. Këtë herë ato zhvendosen nga Tepelena drejt qytetit të Gjirokastrës, ku edhe do të zhvillohet gjyqi ndaj të rinjve nga fshati Toç.


Nëpërmjet thirrjeve të shpërndara dje në qytet kërkohet sensibilizimi i banorëve për t'u bërë pjesë e kësaj proteste paqësore.


"Bashkatdhetarë! Ju bëjmë thirrje për të protestuar kundrejt gjyqit të shtirur ndaj dy djemve, Orgen Hasanbegaj dhe Luan Halili, të cilët ngritën lart flamurin shqiptar dhe kundërshtuan çdo veprimtari antishqiptare nga Vasil Bollano, Spiro Ksera e të tjerë qeveritarë, të cilët i mbrojnë ata.


Më datë 11 shkurt, ora 09:00 të mblidhemi së bashku në Gjirokastër, në sheshin përpara monumentit të "Çerçiz Topullit".


Atdheu dhe flamuri na përket të gjithëve. Ne e duam gjuhën tonë, traditën, kombin dhe besojmë në një jetë më të mirë dhe të lirë si kanë dashur të parët tanë",- thuhet në këtë thirrje. Po në datën 11 shkurt në Gjykatën e Shkallës së Parë të rrethit të Gjirokastër do të zhvillohet seanca e radhës ndaj dy të rinjve nga fshati Toç dhe protesta do t'i paraprijë zhvillimit të tij.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›