E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liljana Kondakçi, në kërkim ndërkombëtar për drogë

Këngëtarja e njohur e viteve '80, është shpallur në kërkim ndërkombëtar tri vite pasi u kap me 3 kg kokainë në një stacion treni


"Mina" shqiptare, pjesë e një rrjeti trafiku të cilësuar si karteli shkodran drejtuar nga Fisnik Smajlaj


ITALI- E cilësuar nga mediat italiane si "Mina" shqiptare, Liljana Kondakçi, rezulton në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.

Kështu shkruante dje gazeta italiane "Gazetta del Sud" (Gazeta e Jugut), për këngëtaren shqiptare Liljana Kondakçi, sipas të cilës ajo është e kërkuar në gjithë Evropën për trafik të lëndëve narkotike.

Ndërkohë, të kontaktuar mbrëmë nga "Shekulli", zyrtarë të interpol Tirana u shprehën se nuk kanë informacione për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të këngëtares së famshme shqiptare të viteve '80, Liljana Kondakçi.

Gazeta italiane i referohet hetimeve të fundit të kryera për një rrjet të trafikut të drogës së cilësuar si "karteli i Shkodrës".

Ky rrjet, sipas tyre, drejtohej nga shkodrani Fisnik Smajlaj, ndërsa hetimet e nisura disa vite më parë kanë zbuluar sipas tyre edhe përfshirjen e këngëtares shqiptare, 56 vjeçares Kondakçi, fituese çmimesh në festivalin e RTSH-së.

Të njëjtat burime, kanë pohuar se përfundimi i hetimeve, ka nxjerrë këngëtaren Shqiptare si të përfshirë në këtë organizatë të trafikut të drogës në drejtim të Italisë. Hetimi ndaj këngëtares së njohur nga autoritetet e policisë dhe të prokurorisë italiane, ka filluar në maj të vitit 2006 kur ajo u arrestua në stacionin e trenit Sibari në Kosentino.

Asaj iu kapën nga policët në çantën personale të saj, tri kilogram kokainë e një cilësie të lartë. Mësohet se Kondakçi, në momentin e parë të kapjes së saj me lëndën nakrotike, kishte deklaruar se pakoja me drogë ishte një dhuratë nga një fans i saj dhe se ajo nuk ishte në dijeni për përmbajtjen e saj.

Në të kundërt, mediat italiane pohonin, referuar hetuesve se malli i shtrenjtë kishte ardhur nga Shqipëria dhe saktësisht nga grupi i Fisnik Smajlaj, me origjinë nga Shkodra. Pak muaj më parë, prokuroria italiane pohoi se këngëtarja shqiptare, ishte marrë në cilësinë e të pandehurës në këtë proces.


Vetë këngëtarja gjatë një reagimi në një televizion në Shqipëri, pohoi se ajo ishte e pafajshme dhe se vetë autoritetet italiane ia kishin deklaruar këtë. Në përfundim të procesit, sipas mediave italiane, Prokuroria e Kastrovilarit kërkoi dënimin me 2 vjet e 8 muaj burg për artisten dhe pritësin e mallit, i cili rezultoi se ishte shqiptari Luan Kubazekai.

"Liljana konsiderohet në vendin e saj si pasuri kombëtare dhe askush nuk mund ta merrte me mend se do ta shikonte në pranga",- shkruan gazeta italiane në lajmin e saj. Mediat e vendit përtej Adriatikut, janë munduar të hedhin edhe hipoteza mbi vendndodhjen e mundshme të saj, si në Gjermani apo në Shqipëri.

Tashmë mbi këngëtaren, përpos kërkimit ndërkombëtar ,pritet edhe dënimi prej dy vitesh e tetë muajsh dhënë nga Prokuroria e Kastrovilarit per artisten dhe pritësin e mallit. Ky i fundit, sipas prokurorisë, po ashtu rezultonte të ishte një Shqiptar, Luan Kubazekaj. Vitin e kaluar, një vendim i gjykatës, për arrestimin e këngëtares me akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, mbeti i pazbatuar për shkak se Kondakçi ishte larguar nga Italia.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›