E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnjë, tregtarët hyjnë me forcë në nënprefekturë

PROTESTA/ Një grup tregtarësh ka protestuar pas vendimit të nënprefekturës për mosndërtimin e tregut të ri


LUSHNJË - Një turmë prej rreth 200 tregtarësh janë futur me forcë në godinën e nënprefektit të Lushnjës duke kërkuar nëpërmjet thirrjeve zgjidhjen e problemit të tregut industrial të qytetit, ku ai ekzistues është i shkatërruar për shkak të një ndërtimi që do të bëhet aty.


Gjatë futjes së tyre në institucion nuk ka pasur përballje mes tregtarëve dhe punonjësve të administratës, dhe si rrjedhojë policia nuk ka ndërhyrë.


Gjithsesi, kreu i nënprefekturës, Daut Sulaj, nuk ka qenë në zyrën e tij të punës, ndërsa për të qetësuar protestuesit ka ndërhyrë sekretari i përgjithshëm i nënprefekturës së qytetit myzeqar, Lazër Dakaj.


Ky i fundit ka pritur edhe një përfaqësi tregtarësh në zyrën e tij dhe pas rreth një orë protestë turma është larguar nga ambientet e brendshme të godinës përfaqësuese të pushtetit qendror.


Kërkesat


Tregtarët protestues janë shprehur se kanë më shumë se tri javë që protestojnë për një treg tjetër në qytet, por zgjidhja ka ngecur në nënprefekturë, pasi kjo e fundit kundërshton ndërtimin e një tregu të ri.


Një vendim i këshillit bashkiak të qytetit për ndërtimin e një tregu të ri, pas prishjes së ekzistuesit, është bllokuar në këtë institucion me pretendimin se vendimi ka shkelje ligjore. Kjo është deklaruar nga sekretari Lazër Dakaj.


Ndërkohë, tregtarët kanë grumbulluar një shumë prej 15 milionë lekë të reja dhe kanë nisur punimet sipas vendimit të këshillit bashkiak dhe miratimit të KRRT-së së bashkisë në një ambient afër spitalit Lushnjë.


Kundërshtimet


Punimet janë pezulluar dhe pingpongu këshill bashkiak - nënprefekturë i ka acaruar tregtarët që janë shprehur se nuk do të reshtin së protestuari deri në miratimin e hapjen e dritës jeshile për ngritjen e tregut të ri.


Çështja e tregtarëve në Bashkinë e Lushnjës ka vite që ka nisur. Mësohet se ish-tregu është mbyllur dhe atje po investohet për ngritjen e një qendre tregtare.
Kristaq Thanasi

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›