E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, ndërpriten punimet në superstradën Plepa-Rrogozhinë

INVESTIMET/ Banorët e Golemit kanë protestuar për mosrespektimin e masterplanit të miratuar në KRRTRSH


DURRËS - Ka mbi një javë që janë ndërprerë punimet në aksin rrugor të superstradës Plepa-Rrogozhinë, e cila kalon paralelisht me bregdetin e plazheve të Durrësit dhe të komunës së Golemit.

Ndërprerja e këtyre punimeve është bërë pas problemeve që ka nxjerrë fillimi i saj pa marrë parasysh masterplanin e zhvillimit të sektorit të plazhit, si dhe afërsinë me trasenë hekurudhore të linjave të jugut të vendit.


Zyrtarët vendorë të komunës Golem thonë se projekti që ka nisur në fund të vitit 2008 është përballur me një sërë problemesh që prekin drejtpërdrejt jetën e komunitetit, duke filluar që nga dëmtimi i ujësjellësit dhe deri tek shkatërrimi i linjës hekurudhore.


Duket me sy të lirë se si rruga, duke u shmangur nga gjurma e mëparshme për shkak të ndërtimeve abuzive, ka filluar që të dëmtojë skarpaten e trasesë së hekurudhës, gjë që mund të shkaktojë probleme në të ardhmen në qarkullimin e trenave.


Astrit Berati, shefi i urbanistikës në komunën e Golemit, shprehet se pezullimi i punimeve është arritur pas kundërshtimeve që ka bërë kjo komunë, duke argumentuar një sërë problemesh serioze që paraqiteshin.


Berati thotë se punimet jane pezulluar pa një afat të caktuar dhe pritet rishikimi i projektit nga specialistët përkatës. Pezullimi i punimeve ka favorizuar dhe drejtorinë e hekurudhave, pasi, sipas specialistëve të saj, gërmimet pranë shinave përbënin një rrezik tepër të madh për lëvizjet e trenave. Projekti i tanishëm parashikonte vetëm një kalim nga 6 që parashikonte masterplani i Golemit.


Zona për të cilën bëhet fjalë është kthyer, sipas tyre, në një pikë rreziku të lartë për çdo hyrje e dalje duke e etiketuar si "Dalja e Vdekjes" . Në këtë hapësirë që disponon sot Plazhi i Golemit, sidomos në fundjavë, gjatë pikut të pushimeve verore numri i njerëzve që frekuentojnë plazhin tejkalon shifrën 250 000 vetë. Kryekomunari Agron Agalliu, në shkresën e datës 21 janar, pasi është njohur me projektin e zgjerimit të rrugës Plepa-Rrogozhinë në zonën nga "Përroi i Agait" deri në "Përroin e Leshniqes", ka konstatuar se projekti i hartuar nuk jep zgjidhje për problemet që lidhen me hyrje-daljet nga autostrada në zonën turistike.

Ai ka theksuar më tej se duke pasur një masterplan të zonës turistike, të hartuar mbi bazën e një detyre projektimi të pranuar edhe nga KRRTRSH-ja, nuk janë marrë në konsideratë aspak zgjidhjet teknike të pranuara dhe të aprovuara për nyjet hyrje-dalje në të gjithë zonën turistike Golem Karpen.


Një sërë problemesh po shkakton edhe ndërtimi i rrugëve shtesë të kësaj superstrade. Zgjerimi i saj pritet të përfundojë para zgjedhjeve parlamentare dhe pikërisht shpejtësia, sipas banorëve të komunës, po bën që të dëmtohen edhe objektet që ndodhen paralel me rrugën. Një dëmtim i madh, sipas tyre, i është bërë edhe pusetës kryesore të ujësjellësit në Golem.


Këtë dukuri e ka denoncuar disa herë shefi i Zyrës së Urbanistikës në këtë komunë, Astrit Berati. Sipas tij, projekti i hartuar, pa marrë në konsideratë zgjidhjet teknike të specialisteve të urbanistikës në komunën e Golemit ka dëmtuar pusetën kryesore të ujësjellësit. Dëmtimi është konstatuar në një pikë kyçe të një investimi prej 3 milionë eurosh që u përurua nga Kryeministri.

Punimet në këtë aks kanë filluar në ditët e para të janarit. Ato janë përqendruar në zgjerimin e segmentit Plepa-Rrogozhinë dhe pritet të përfundojë në qershor të këtij viti. Ky zgjerim është kërkuar për shkak se kjo arterie e rëndësishme lidhëse paraqitet si një ndër akset më problematike për shkak të trafikut të rënduar, veçanërisht në sezonin turistik.


Mbingarkesa në këtë aks rrugor ka shtuar aksidentet. Statistikat e vitit të shkuar shënojnë 76 aksidente, ku 15 vetë kanë gjetur vdekjen. Fondi i akorduar për rehabilitimin e aksit rrugor prej 35 kilometrash të gjatë, kap vlerën e rreth 460 milionë lekëve. Projekti që përfshin zgjerimin e rrugës, është ndarë në 3 lote, ku puna kishte nisur nga të tre firmat realizuese njëkohësisht.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›