E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjeku rrëfen: Gjyqtari rrezikonte jetën

I plagosuri pritet të qëndrojë së paku tri ditë në spitalin Ushtarak dhe më pas do të vijojë mjekimin në banesë


Afron Mici, një nga dy kirurgët që kanë operuar gjyqtarin, ka pohuar dje se Nuni ka shpëtuar mrekullisht nga prekja e organeve jetësore


Gjyqtari Adrian Nuni megjithëse me pesë plumba në trup, ishte i ndërgjegjshëm kur mbërriti në "duart" e mjekëve ndërsa kishte pësuar traumë psikologjike.

Njëri prej mjekëve kirurgë që ka asistuar në ndërhyrjen e anëtarit të Gjykatës së Lartë, u shpreh për "Shekullin" se Nuni në momentet e para ishte në një situatë frike dhe stresi e pësuar nga trauma psikologjike.

"Adrian Nuni ka ardhur rreth mesnatës,. E sollën disa shoqërues të rastit, kishte pasur një plagosje me armë zjarri, të paktën kështu deklaruan familjarët. Ishte edhe Avokati i Popullit që e shoqëronte, të cilin i plagosuri e kishte fqinjë të tijin.


E dërguam drejt në sallën e operacionit, ku edhe i bëmë vlerësimin e dëmtimeve, konstatuam pesë plagë me armë zjarri.

Katër plagë nga krahu i majtë dhe një plagë në gjoks nga ana e djathtë",- tregoi për gazetën Afron Mici, mjek kirurg në spitalin ushtarak. Fillimisht mjekët u morëm me plagën e gjoksit për të vlerësuar në se kishte apo jo dëmtime të organeve vitale.


Brenda pak minutash, u konstatua se nuk kishte dëmtime të mushkërive dhe organeve që ndodhen pranë plagës së marrë në gjoks. Kështu kirugët kryen përpunimin e plagëve, ku edhe konstatuam se në plagët e krahut nuk kishte dëmtime serioze, të kockave dhe enëve të gjakut.

"Kishte një plagë tejshpuese në krah dhe u bë përpunimi kirurgjikal, si ndalimi i hemorragjive dhe mjekimi i plagëve me dezinfektantë dhe me mjetet e duhura.

Pasi mbaruam këto konstatuam se gjendja u rikuperua shumë shpejt, natyrisht duke dhënë ndihmën reanimatore me oksigjen, serume etj. i sëmuri ishte aktiv dhe i ndërgjegjshëm.

Më pas u vazhdua me ekzaminimet radiologjike dhe ekografike dhe skanime",- shtoi më tej kirurgu Mici. Sipas tij, në eko, në skaner dhe në radiografi, u konstatua një plumb nën lëkurë nga ana e djathë, nga mbrapa jashtë kafazit të kraharorit, i cili kishte kaluar nën lëkurë dhe kishte mbetur aty në krahun e kundërt.

"Në atë moment nuk e ngacmuam e lamë në vend, sot në mëngjes (dje) me një mpirje lokale e hoqëm plumbin. Ekzaminimet, ekografike, radiologjike dhe imazherike nuk konstatuan dëmtime të organeve të brendshme, të gjoksit dhe të barkut.


Gjithsesi ishte një rast me pesë plagë me armë zjarri, dhe i sëmuri është trajtuar duke u mbajtur nën observacion me antibiotikë, me serume dhe sot aktualisht i sëmuri është jashtë rrezikut për jetën",- u shpreh për gazetën mjeku Afron Mici.


Adrian Nuni ishte i ndërgjegjshëm që po mjekohej nga plagët dhe se organet e tij nuk ishin dëmtuar.


Pas kapërcimit të momentit të parë të ankthit dhe komplikacioneve të tjera që mund të sjellin, infarkte apo gjëra të tilla, nga plagët e marra mjekët siguruan se gjyqtari doli nga rreziku për jetën dhe se pas tri ditësh do të shkojë në shtëpi.


"Dëmtimet që kishte marrë kanë qenë shumë pranë enëve të gjakut, nën sqetull, ku ka enë të mëdha gjaku që po të dëmtohen, është e pamundur të përballohet distanca nga vendi i ngjarjes deri në spital. Madje edhe kur ndodhin në sallë operatore janë shumë të vështira dhe serioze për t'u rikuperuar, për shkak të hemorragjisë.

Për fatin e tij, plumbat kanë kaluar shumë pranë enëve të gjakut, shumë pranë mushkërive, por nuk ka pasur dëmtime serioze. Tashmë jemi më të qetë dhe të garantuar, ne do ta kemi nën mbikëqyrje dhe për dy tri ditë duhet të rrijë në vëzhgim",- përfundoi kirurgu Mici. Aktualisht Adrian Nuni ndodhet në spitalin Ushtarak te pavioni i "VIP" dhe pritet të dalë së shpejti pasi gjendja e tij është drejt përmirësimit

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›