E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Kumbaro dyshohet për agjent britanik

Rrezikohet ekstradimi SHIK-asit Kumbaro, dyshime për bashkëpunëtor të inteligjencës angleze

TIRANË- Mos ekstradimi i Ilir Kumbaros nga Angli për në Shqipëri, ku po gjykohet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, ka ngritur dyshime ndër autoritetet e drejtësisë shqiptare se ish-SHIK-asi mund të jetë bashkëpunëtor i inteligjencës së Mbretërisë së Bashkuar. Këto dyshime, prej dy muajsh janë ngritur nëpër zyrat e institucionit të akuzës, por, që publikisht apo zyrtarisht asnjë nga prokurorët e thjeshtë apo drejtuesit e këtij institucioni nuk preferojnë ta konfirmojnë, duke mjaftuar vetëm me ngritjen e dyshimit jo zyrtarisht. Sipas këtyre burimeve që dëshirojnë të mbeten anonim, kanë kaluar mbi katër muaj që nga dita e ndalimit të ish-agjentit të SHIK-ut për llogari të "Interpol Tiranës" dhe ende nuk është kryer procedura e verifikimit të personit të tij, pasi vetë ai pretendon se nuk është i shumë kërkuari i policisë shqiptare Ilir Kumbaro por Shaqo Shatri me origjinë nga Kosova por me shtetësi Çeke.

Kjo zvarritje e identifikimit të tij, sipas këtyre burimeve, dyshohet se bëhet me qëllim për të mos ekstraduar ish-SHIK-asin në Shqipëri, pasi provat e dërguara nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme janë të pakontestueshme që i ndaluari në Angli është vetë ish-drejtuesit i SHIK-ut të kryeqytetit nga viti 1991-'96 i pandehuri Ilir Kumbaro. Gjithashtu, këto burime sqaruan se "nëse provat materiale të dërguara nga Shqipëria, siç janë fotoja e tij, e bashkëshortes dhe disa pjesëtarëve të familjes së tij, të identifikuar nga ish-kolegët e SHIK-ut dhe të dhënat e tjera të mbledhura në rrugë operative nga pala shqiptare janë të pavlera, ka mënyra tjera që lejohen edhe mbi bazën e Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Identifikimi i tij, mund të bëhet edhe me marrjen e gjakut nëpërmjet analizave të ADN-së, mes tij dhe të birit të cilit i është gjetur një certifikatë e lindjes e lëshuar nga Gjendjet Civile në Shqipëri dhe nga vëllai i vetë ish-SHIK-asit Ilir Kumbaro i cili ka aplikuar për azil me anë të një pasaporte Çeke.

Por, këto procedura të lejuara nga ligjet ndërkombëtare siç duket nuk po i praktikon Gjykata e Londrës, me qëllim mos ekstradimin e tij"-thonë burimet, duke ngrit dyshime se ai mund të jetë bashkëpunëtor i "Scotland Yardit" apo inteligjencës angleze. Kështu, kjo procedurë e stërzgjatur, sipas burimeve nga akuza, po kryhet me qëllim mos ekstradimin e tij, që rrezikon të përfundoi me të gjithë ata shqiptarë të tjerë që nuk janë ekstraduar nga shtetet ku janë arrestuar ndërsa në Shqipëri janë dënuar me dënime të ndryshme, dënime këto që presin në sirtarët e policisë për ekzekutim.


Sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se Gjykata e Londrës ka caktuar seancën e radhës ndaj Kumbaros në ditët e para të marsit, ku do të dëgjoi pretendimet e mbrojtjes karshi atyre të lexuara të organit të akuzës, që në këtë rast përfaqësojnë shtetin shqiptarë. Ndërkohë, parë Gjykatës së Krimeve të Rënda po vazhdojnë seancat gjyqësore me dëgjimin e dëshmitarëve të akuzës, në procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të SHIK-ut, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro e Avni Koldashi, mbi të cilët rëndojnë akuzat e "rrëmbimit të personit" të shoqëruara me torturë fizike e psikologjike, ndaj shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk dihet.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›