Zeqaj: E vërteta e kredisë sime
Kryebashkiaku i Fierit përgënjeshtron një shkrim të botuar në një gazetë për kredinë 250-milionëshe të marrë prej tij
FIER - Nisja e fushatës elektorale nga partitë politike ka vënë në qendër të sulmeve mediatike edhe kryebashkiakun e Fierit, Baftjar Zeqaj. Zërat jozyrtarë nga selia e PS-së Fier flasin për një kandidim të mundshëm edhe të kryebashkiakut në këtë fushatë.
Dhe duket se kanë mjaftuar këta zëra që kryebashkiaku socialist të vihet në qendër të goditjeve. Kështu, në një gazetë të përditshme ai akuzohet se ka marrë një kredi prej 250 milionë lekësh, çka ka bërë që Zeqaj të reagojë menjëherë duke përgënjeshtruar "lojën" me shifrat.
Sqarimi
Në një prononcim për gazetën "Shekulli" kryebashkiaku sqaron të vërtetën e kredisë 250-milionëshe: "Në fakt, bëhet fjalë thjesht për një kredi 2,5 milionëshe, e marrë më 26.11.2005 pranë bankës "Raiffeisen", - rrëfen Zeqaj. - por kjo kredi është hiperbolizuar duke i shtuar jo një zero, por dy dhe duke e çuar kredinë e marrë në 25 milionë lekë të reja. Në të vërtetë, shuma e kredisë së marrë konfirmohet nga faksimilet e kontratës. Kredia e marrë, - vijon kryebashkiaku i Fierit, - konfirmohet edhe nga kjo bankë, e firmosur nga drejtori i saj, ku thuhet se "z.Baftjar Zeqo ka marrë kredi/hua në llogarinë rrjedhëse ... në shumën 2 500 000 (2 milionë e pesëqind mijë) lekë me interes 14% në vit me detyrimin aktual deri në datën 04.02.2009. Qëllimi i tyre është përdorimi për "blerje shtëpie banimi ose rikonstruksion", thuhet në kontratë.
Kjo është e vetmja pasuri/kredi e deklaruar nga unë, - u shpreh Zeqaj, - në formularin e deklarimit të pasurive, lëshuar nga ILKDP-ja dhe që mban datën 31.03.2008".
Zerot e kredisë
"Por kredia ime prej 2,5 milionësh lekë të reja është shndërruar në 25 milionë lekë të reja dhe për kundërshtarët e mi politikë, - tha Zeqaj, - një "0" mjafton për t'i shtuar dhe një tjetër dhe të luftohet me plot 250 milionë lekë të reja. Në fakt, me paratë e marra hua unë kam marrë një shtëpi banimi 2+1 në lagjen "29 Nëntori", tek ish-"pallatet e Enverit", në 2005-n, dhe ajo nuk mund të kushtonte 250 milionë lekë.
Asnjë bankë në Shqipëri nuk do ta jepte kredi një shumë të tillë marramendëse me këtë qëllim, sepse qëllimi i dhënies së kredisë nga banka është thelbësore për një marrëdhënie të tillë kontraktore kredimarrës dhe kredidhënës.
Këtë e dinë më mirë debitorët e bankave shqiptare të nivelit të dytë që u duhet të japin shpjegime për marrjen dhe destinacionin e kredisë. Një kredi prej 250 milionë lekësh nuk justifikohet me këtë kontratë dhe banka nuk do ta bënte një lajthitje të tillë me klientët e saj, qoftë ky edhe me statusin "shtet".
Në formularin e deklarimit të pasurive, - sipas kryebashkiakut, - nuk figuron asnjë pasuri tjetër veç apartamentit të blerë falë kredisë së marrë prej 2,5 milionë lekësh të reja dhe pjesa tjetër nga shitja e apartamentit të dikurshëm që kam pasur në qytetin e Patosit". Kryebashkiaku Baftjar Zeqaj luftën me "0" të kredisë ndaj tij e quan një sulm politik të turpshëm, që kërkon të denigrojë figurën e tij morale jo vetëm si kryetar bashkie, por dhe si përfaqësues i PS-së. Pa dashur të përmendë emra, ai lë të kuptohet se goditjet e fundit me "zerot" e kredisë për shtëpinë, janë fillimet e një fushate të shfrenuar e të pamoralshme elektorale.