Spastrime në
Alibeaj gati raportin e "shkeljeve" të prokurorisë së kryeqytetit, 20 prokuror me shkelje të rënda
TIRANË- Ministra e Drejtësisë përpilon raportin e kontrollit të punës së prokurorisë së kryeqytetit dhe bën gati listën me emrat e 20 prokurorëve që kanë kryer shkelje të rënda. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë kabinetit të dikasterit të drejtësisë të drejtuar nga ministri Enkelejd Alibeaj, inspektorët e të cilit për katër muaj kanë kontrolluar me imtësi të gjitha dosjet e mos fillimit të hetimit dhe shkeljeve të afateve hetimore për një afat tre vjeçar pranë prokurorisë së kryeqytetit.
Sipas këtyre burimeve, mësohet se objekt të verifikimit dhe kontrollit të dosjeve kanë qenë veprimet hetimore të mos fillimit të procedimit, dosjeve të pushuara, dhe zgjatjen e afateve hetimore. Mësohet se nga kontrolli i ushtruar nga Drejtoria e Inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, janë evidentuar rreth 20 prokuror dhe ish-zv\drejtues të prokurorisë së Tiranës me një sërë shkeljesh të rënda procedurale.
"Prej pak muajsh ka mbaruar afati i kontrollit të kryer pranë Prokurorisë së Tiranës, ku nga verifikimi dhe inspektimi i dosjeve ka rezultuar një numër jo i vogël i prokurorëve dhe ish-zv\drejtues të kësaj prokurori me shkelje rënda procedurale. Nga ky kontroll kanë rezultuar me shkelje rreth 20 prokuror nga 54 prokurorët që janë në dispozicion të prokurorisë së Tiranës",-thuhet nga burimet pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Gjithashtu, mësohet se inspektorët po i japin dorën e fundit raportit të inspektimit, duke përpiluar e renditur rekomandimet konkrete për të 20 prokurorët. Sipas këtyre burimeve, thuhet se nga 20 prokurorët që janë kapur me shkelje, Ministri i Drejtësisë do të propozoi edhe masat disiplinore ndaj tyre, duke filluar që nga masa disiplinore "vërejtja"; "vërejtje me paralajmërim për shkarkim nga detyra"; "kalim në një detyrë tjetër, më të ulët brenda sistemit të prokurorisë" e deri te "shkarkimi nga detyra" si prokuror dhe dërgimi i tij për ndjekje penale.
Mësohet nga këto burime, se 12 prej 20 prokurorëve që janë kapur me shkelje do të propozohen për masën ekstreme të "shkarkimit nga detyra" ndërsa, për 8 të tjerët do të ketë masa më të buta ndëshkimore. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë, pritet që shumë shpejt ky raport kontrolli i detajuar do të dërgohet në tavolinën e punës së kryeprokurores Ina Rama.
Burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të pyetur nga "Shekulli" për këtë raport kontrolli, u shprehën se "Prokuroria e Përgjithshme është në dijeni të këtij kontrolli dhe që ky raport është në përfundim e sipër, por, institucioni i akuzës nuk do ta marr të mirëqenë këtë raport. Ky raport do të verifikohet edhe nga inspektorët e prokurorisë, të cilët do të verifikojnë një nga një të gjitha pretendimet e Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me shkeljet e mundshme.
Deri më tani nuk jemi vënë në dijeni për përfundimin dhe rekomandimin e këtij raporti",-u shpreh njëri nga drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa, pranë prokurorisë së Tiranës, kryejnë detyrën e prokurorit 54 punonjës, mes të cilëve janë edhe zv\drejtuesit e rinj të emëruar pas ardhjes në detyrë të kryeprokurores Ina Rama, por, që inspektimi i Ministrisë së Drejtësisë konsiston në punën e prokurorëve nga janari i vitit 2005 deri në janar të 2008, kohë kjo e parashikuar për kontroll sipas ligjit për "Organizimit dhe Funksionimin e Prokurorisë".