Bombolat e gazit, blihen për skrap e nxirren në treg
VLORË/ Shefi i sektorit të PMNZSH-së, Petrit Çarçani, bën publike rreziqet e mosplotësimit të standardeve
VLORË - Shumica e bombolave të gazit jo vetëm nuk janë të certifikuara, por nuk mungojnë lloj-lloj mënyrash për të shtuar fitimet. Deklarata vjen nga shefi i sektorit të PMNZSH-së në prefekturën e Vlorës, Petrit Çarçani. Sipas tij, nëpërmjet doganës së Vlorës hyn një sasi e madhe gazi, ndërkohë që mënyra si tregtohet më pas lë shumë për të dëshiruar. Duke u njohur me situatën e shitjes së gazit në Vlorë, Çarçani pohon se nuk kanë munguar as rastet kur bombolat e gazit deklarohen si mall për skrap. Ato mund të sillen nga shteti fqinj, si produkte të tjera hekuri që kalojnë më pas për shitje për skrap, por nga tregtarë të ndryshëm lyhen e kalojnë si bombola për shitjen e gazit, duke mos plotësuar standardet që duhet të kenë.
Rrezikshmëria
Sipas Çarçanit, veprimet e kryera për të marrë fitime nga tregtarët, duke abuzuar me standardet e bombolave, i bën ato të rrezikshme, pasi përdoren nga konsumatorët në shtëpitë e tyre. Të tilla bombola dyshohet të ketë edhe në pika të tjera të shpërndarjes së gazit.
Çarçani shprehet se ka ardhur koha e vendosjes së Task forcës për të mundësuar daljen e këtyre produkteve të rrezikshme njëherë e mirë nga tregu. Çështja e mungesës së kolaudimit të bombolave të gazit ka qenë një problem i mbartur në Vlorë. Sidomos në periudhën e dimrit, ka zjarre të cilat janë ndikuar nga përdorimi i bombolave të gazit. Sipas Çarçanit, edhe këto produkte kanë afat skadimi dhe kushte teknike, respektimi i të cilave duhet të jetë i domosdoshëm për të shmangur incidentet e pakëndshme që mund të ndodhin me to.
Vendimi qeveritar
Disa ditë më parë, nga ana e Këshillit të Ministrave u mor një vendim lidhur me disiplinimin e tregtimit me pakicë, duke u shprehur se brenda tre muajve do të prishen të gjitha pikat e tregtimit të gazit në zonat e banuara, të cilat nuk plotësojnë kushtet e sigurisë teknike.
Kësaj radhe nuk parashikohet shembja apo sekuestrimi, por bllokimi i përkohshëm, duke i dhënë mundësi pronarit të përmbushë dokumentacionin përkatës. Në kryeqytet, nga 23 pika të shitjes me pakicë, vetëm 12 prej tyre kanë vulën e kontrollit teknik. Ndërsa asnjë autogaz që qarkullon nuk ka leje të posaçme për transportin e këtij produkti.
Nisma e METE-s për vënien në kontroll të këtij tregu, vjen pas disa incidenteve të kohëve të fundit, ku brenda pak ditësh kanë shpërthyer dy autogaze. Nga kontrollet e ushtruara nga Inspektorati Qendror Teknik, situata paraqet mjaft probleme, duke filluar nga moszbatimi i detyrimit për pajisjen me "autorizim", ndërtimi i stacioneve të shitjes me pakicë dhe ushtrimi i aktivitetit jashtë kushteve teknike. Sipas të dhënave, për momentin, në Shqipëri zhvillojnë aktivitetin e tyre 110 stacione, të cilat shesin gaz me pakicë.