"Atentati ndaj policit, i sajuar"
Veprimet e para procedurale në lidhje me atentatin e kryer ndaj policit të objekteve, Astrit Pirja, kanë hedhur poshtë versionin e një atentati. Gjithçka u bë e ditur dje nëpërmjet një komunikate zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat, ku shprehimisht thuhet: Saktësojmë dhe theksojmë se ndaj këtij polici nuk është kryer atentat për shkak të detyrës, por nga veprimet policore procedurale të kryera deri tani, rezulton se plaga e shkaktuar në krahun e majtë të tij është shkaktuar nga vet punonjësi i policisë. Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.
Efektivi i policisë, Astrit Pirja, me banim në fshatin Tapi të Rrethit Kuçovë, pak para mesnatës së të enjtes ka kërkuar ndihmën e kolegëve, duke njoftuar për një atentat me armë zjarri të ndërmarrë ndaj tij nga persona të panjohur.
Uniformat blu të Komisariatit të Policisë së Kuçovës, të mbështetura dhe nga ato të Drejtorisë së Policisë së Beratit, kanë shkuar me urgjencë në vendngjarje, pranë shtëpisë së efektivit Pirja, dhe pasi e kanë nisur këtë të fundit për mjekim në Spitalin Rajonal të Beratit, kanë kryer procedurat e para, duke grumbulluar provat nga vendi i ngjarjes si gëzhojat, apo gjurmët e mundshme, shoqëruar këto dhe me dëshmitë e personave të familjes, të cilët ndodheshin brenda shtëpisë në momentin e ngjarjes.
Pas grumbullimit të provave materiale dhe dëshmive të rastit, ekspertët e kriminalistikës janë larguar dhe pas analizimit të tyre dhe dëshmisë së mjekëve specialistë, të cilët mjekuan kolegun e tyre, ditën e djeshme kanë arritur në përfundimin se atentati i pretenduar nga kolegu, ka qenë i improvizuar.
Po këto burime, ende nuk bëjnë të qarta shkaqet që mund të kenë çuar kolegun e tyre në vetëplagosje dhe të sajonte atentatin për shkak të detyrës.
Burime nga Reparti i Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Beratit, saktësuan për gazetën "Shqip" se Astrit Pirja, i plagosur me armë zjarri, është paraqitur në këtë repart rreth orës 23:30 dhe menjëherë i është dhënë ndihma mjekësore, duke i mjekuar plagën në krahun e majtë, që ishte shkaktuar nga një plumb pistolete. Pas kontrollit të imtësishëm, ka rezultuar së plumbi kishte depërtuar në pjesën muskulore të krahut të majtë dhe nuk kishte prekur kockat, duke e klasifikuar plagën të lehtë dhe pa pasoja. Polici Pire, pasi ka qëndruar nën kujdesin e mjekëve për rreth 18 orë, mbrëmjen e djeshme është larguar për në shtëpinë e tij.
Burime nga Drejtoria e Policisë së Beratit thanë se polici i ruajtjes së objekteve do të merret përsëri në pyetje për të sqaruar situatën dhe nëse vërtetohet dyshimi i ekspertëve për vetëplagosje, ndaj tij do të nisë procedimi penal.
Ngjarja
Të enjten në mbrëmje, polici i ruajtjes së objekteve, Astrit Pirja, u plagos me një plumb pistolete në krahun e majtë. Ai deklaroi se dikush kishte shtënë katër herë në drejtim të tij, teksa po dilte nga shtëpia dhe po hipte në makinë. Policia tregoi gjithashtu se ishte hedhur në një kanal për t‘u shpëtuar plumbave, tre prej të cilëve kishin prekur makinën. Në fillim të hetimeve, ekspertët e antikrimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, hodhën dyshimin se polici Astrit Pirja mund të ishte sulmuar, për shkak të detyrës së tij. Pirja punonte prej disa kohësh si polic i ruajtjes së objekteve, një pozicion ky që nuk lë shkas për konfrontim me elementë kriminalë. Por, fakti që Pirja kishte qenë më parë agjent i krimeve, i bëri hetuesit të besojnë se detyra mund të ishte bërë shkak konflikti. Vetëm pas ekzaminimit të provave të mbledhura në vendngjarje, u arrit në përfundimin se Pirja kishte plagosur veten.