Hidhet nga makina në asfalt për t‘i shpëtuar natës në motel
Një 20-vjeçare i ka shpëtuar përdhunimit, pasi është hedhur nga makina. E.G. nga fshati Buçimas i Pogradecit ka denoncuar dje në orët e para të mëngjesit një 28-vjeçar nga fshati Dërsnik i Korçës. Ka qenë ora 00:30 e mëngjesit të djeshëm, kur Policia e Korçës ka marrë kallëzimin për një tentativë përdhunimi nga ana e një 20-vjeçareje. Ajo pretendon se ndërsa ka qenë më një të njohurin e saj, ky i fundit ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë.
Policia ka ndaluar pas këtij denoncimi 28-vjeçarin Olsi Meta me të cilin vajza ka qenë gjatë mbrëmjes së 14 marsit. Sipas burimeve të policisë lokale, vajza fillimisht kishte shkuar me dëshirën e saj me 28-vjeçarin, por më pas është grindur me të.
Çdo gjë ka ndodhur në afërsi të fshati Ravonik. Vajza ishte nisur me një makinë bashkë me 28-vjeçarin në drejtim të këtij fshati, ku sipas të dhënave mësohet se do të shkonin në një motel për të kaluar natën. Por 20-vjeçarja ka mohuar se kishte rënë dakord më parë me të njohurin e saj për të shkuar në një motel, madje ajo këmbëngul se e kishte kundërshtuar që në fillim kërkesën e djalit për të kryer marrëdhënie seksuale.
Siç ka shpjeguar vajza, pasi kanë qenë duke festuar në një ambient, ajo i ka kërkuar 28-vjeçarit ta shoqërojë për në shtëpi. Por djali ka marrë rrugën drejt një moteli. Nga të dhënat e policisë konfirmohet vetëm fakti se dy të rinjtë janë zënë në mjetin që drejtonte 28-vjeçari. Më pas vajza është hedhur nga makina. Ajo ka marrë plagë nga përplasja mbi asfalt dhe më pas është shoqëruar për në spital nga 28-vjeçari Olsi Meta. Një orë pas kësaj ngjarjeje, është bërë edhe ndalimi i tij. Policia ka thënë se ka ndaluar 28-vjeçarin Olsi Meta në orën 01:30 të mëngjesit, ndërsa në momentin e kapjes ai ka qenë nën efektin e alkoolit. Sipas hetimeve të para, dyshohet se i rënduar nga pija, i riu mund të ketë qenë agresiv ndaj 20-vjeçares E.G, e cila pretendon se ai ka tentuar ta përdhunojë.
Për këtë rast është ngritur edhe një grup hetimor, që po merret me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Vajza mësohet se ka pësuar disa dëmtime trupore, por nuk ka qenë në gjendje kritike. Më shumë ajo ka qenë e shokuar nga ajo që ka ndodhur. Nga ana e tij, i riu ka pretenduar se vajza ka shkuar me të me dëshirë dhe se nuk bëhet fjalë për tentativë përdhunimi, por për një zënkë.