E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lemeria e paralajmëruar

Mesdita e djeshme ka rezultuar fatale për të paktën pesë persona që kanë humbur jetën, teksa në mënyrë të papritur ambientet e repartit ushtarak në Gërdec të Vorës janë bërë qendër e shpërthimit të municioneve që ndodheshin aty për t‘u shpërbërë. Rreth orës 12:00, në repartin ushtarak, i cili ndodhet jo shumë larg autostradës Tiranë-Durrës, për arsye që ende nuk dihen ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm, i cili ka shkaktuar dëme njerëzore dhe materiale deri në Vorë dhe në disa biznese që ndodhen përgjatë autostradës. Sipas burimeve jozyrtare, në momentin e shpërthimin në repart ishin ndodheshin 110 punëtorë, por për fat të mirë kanë qenë në kohën e pushimit dhe kjo e ka ndihmuar një pjesë të mirë të tyre të largohet me dëmtime të lehta.

Deri në orët e vona të mbrëmjes zyrtarisht ishte konfirmuar vdekja e pesë personave, identiteti i të cilëve gjithsesi nuk ishte bërë publik. Por të gjitha gjasat janë që ky numër të rritet ndjeshëm në orët në vazhdim, e veçanërisht në momentin kur shpërthimet do të pushojnë dhe do të jetë e mundur të bëhet një verifikim i saktë i situatës në vendngjarje. Ndërkaq, numri i të plagosurve dhe të lënduarve ka qenë më i madh dhe ka kaluar 200. Përveç një pjese të punëtorëve që ishin në repart në momentin e shpërthimit, janë plagosur edhe banorë të fshatit Gërdec, si dhe banorë të Vorës, ku shpërthimi është përjetuar si një tërmet. Viktima janë bërë edhe pasagjerët e një autobusi që udhëtonte drejt Durrësit, si dhe disa persona të tjerë që kanë qenë duke kaluar me automjetet e tyre në atë pjesë të autostradës që është më afër repartit ushtarak. Mjaft banesa të Gërdecit janë dëmtuar rëndë dhe po ashtu dëmtime materiale, si thyerje xhamash dhe shkatërrime vetratash ka pasur deri në një rreze prej 5-8 kilometrash në fshatrat Maminas dhe Radë. Ndërkaq, një situatë paniku ka mbizotëruar përgjatë gjithë ditës në të gjitha zonat e banuara rreth vendngjarjes.

Motivet e tragjedisë janë ende mister. Sigurisht që pista më kryesore e dyshimeve është ajo e një gabimi njerëzor gjatë procesit të çmontimit, por vjetërsia e municioneve që gjendeshin në këtë repart lë shteg edhe për të tjera pista. Ajo që dihet me siguri është se reparti ushtarak është ndërtuar në kohën e sistemit komunist dhe ka funksionuar si i tillë për rreth 40 vjet. Gati një vit më parë ai ishte kthyer në një qendër për çmontimin e municioneve luftarake. Këtu mblidheshin municione, kryesisht të vjetëruara dhe të dala jashtë përdorimit nga të gjitha repartet ushtarake të vendit dhe më pas një firmë e kontraktuar nga shteti merrej me procesin e çmontimit të tyre. Sipas burimeve zyrtare në këtë qendër, që prej hapjes së saj janë demontuar rreth 6500 tonë municione luftarake. Lidhur me sasinë e municioneve që ndodheshin aty, burimet thanë se ai arrinte deri në 3 mijë tonë predha të kalibrit 100-152 mm. Në repart punonin rreth 300 punëtorë, burra dhe gra, të cilët ishin banorë të fshatrave përreth.

I huaji

Bashkë me katër kolegë asistonte punën në repart

Mes të plagosurve, në spitalin turk një specialist amerikan

Financimi

Qeveria amerikane, financuese e projektit për shkatërrimin e municioneve të vjetra luftarake dhe armëve kimike

Pesë specialistë amerikanë duket se kanë qenë në repartin ushtarak të Gërdecit në momentin fatkeq të shpërthimit. Burime të besueshme thanë për "Shqip" se një nga specialistët ushtarakë është plagosur nga shpërthimi dhe është dërguar me urgjencë në spital. Ai ka marrë ndihmën mjekësore në spitalin turk, i cili ndodhet në ambientet e Spitalit Ushtarak në Tiranë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Specialistët e huaj duket se kanë pasur detyrën e monitorimit dhe asistimit të specialistëve shqiptarë në punën e vështirë të çmontimit të municioneve luftarake. Ndonëse plagosja e specialistit amerikan nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, Ministria e Mbrojtjes ka pranuar se midis qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane është firmosur një memorandum bashkëpunimi për shkatërrimin e të gjitha municioneve luftarake të vjetra që ndodhen ende në depot e reparteve ushtarake shqiptare. Në këtë marrëveshje saktësohet se objekt i shkatërrimit do të jenë armët kimike, municionet që janë të papërdorshme, si dhe ato që janë mbajtur në kushte të papërshtatshme. I gjithë projekti për shkatërrimin e këtyre municioneve financohet nga qeveria amerikane, çka dhe hedh dritë mbi motivet e prezencës së specialistëve të huaj në repartin e Gërdecit. Gjithsesi, për fat të mirë ata duket se kanë shpëtuar pa dëmtime serioze, me përjashtim të njërit, i cili është plagosur lehtë.

Kryeministri: Po përpiqemi të identifikojmë punëtorët

Midis dy shpërthimeve ka pasur një distancë prej 10 minutash, të cilën shumë punëtorë e kanë shfrytëzuar për t‘u larguar

Identifikimi i punëtorëve që kanë qenë në repart në momentin e shpërthimit, si dhe i atyre që kanë mundur të shpëtojnë, ka rezultuar më i vështirë nga sa mendohej. Në një njoftim që ka mbërritur nga zyra e Kryeministrit, rreth orës 19:00 të ditës së djeshme, thuhet se "po bëhen përpjekje për t‘u identifikuar një nga një të gjithë punëtorët, por situata është e vështirë dhe vazhdojnë shpërthimet". Ajo që është bërë e mundur të sqarohej deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ka qenë fakti se në momentin e shpërthimit në repart kanë qenë 110 punëtorë. Nxjerrja e një liste të saktë të punëtorëve që janë larguar nga vendngjarja pas shpërthimit do të bënte të mundur krijimin e një ideje të qartë për numrin e personave të humbur dhe për përmasat e vërteta të kësaj tragjedie.

Gjithsesi, Kryeministria duket se ka dashur të qetësojë opinionin publik teksa në të njëjtin njoftim bën të ditur se "se midis shpërthimit të parë dhe shpërthimit të dytë ka pasur një distancë kohore prej 10 minutash, të cilën shumë prej punëtorëve e kanë shfrytëzuar për t‘u larguar nga vendi i ngjarjes". Të gjitha deklarimet e zyrtarëve duket se u referohen dëshmitarëve okularë të cilët kanë qenë në vendngjarje. Rreth orës 15:00, Kryeministri kishte deklaruar në ambientet e Spitalit Ushtarak në Tiranë se megjithëse nuk kishte statistika të sakta, mendohej që numri i viktimave do të ishte i konsiderueshëm.

Evakuohet Gërdeci, shpërthimet

vazhdojnë gjatë gjithë natës

"Sa kisha dalë nga dera e jashtme e fabrikës, kur dëgjova një shpërthim shumë të fortë. Pastaj një valë e nxehtë më hodhi tutje. Nuk e di se si ika...". Fjalët e tij ndërpriten nga një e qarë që e kap në moment, teksa kujtohet se aty brenda ka lënë njerëzit e familjes dhe të afërm të tij. Miqtë e tij e marrin përkrahu dhe nuk arrijmë ta pyesim as se si e ka emrin, pasi shikimet e tyre të mërzitura shoqërohen edhe me ndonjë fjalë revolte në drejtim të interesimit tonë. Djaloshi me një kapele gri në kokë, që duket se është një nga punëtorët e repartit ushtarak, është shprehja më e mirë e gjendjes së panikut dhe shokimit që mbizotëronte në fshatin Gërdec. Shumë banorë interesoheshin për të afërmit e tyre që kishin qenë në punë në fabrikë, ndërsa më të shumtit nxitonin të largoheshin nga zhurma e madhe që shkaktonin shpërthimet e pandërprera. Banesat rreth repartit ushtarak janë ndërtime të reja, të ngritura vitet e fundit dhe nuk dihet nëse ka pasur ndonjë kontroll lidhur me rrezikshmërinë e zonës, përpara se të lejohej ndërtimi i tyre.

Në vendngjarje kishin mbërritur më shumë se 25 autoambulanca si dhe disa helikopterë për të mundësuar dhënien e ndihmës së parë për të plagosurit. Po ashtu, makinat zjarrfikëse lëviznin me nxitim drejt repartit ushtarak. Ndërkaq, rreth mesditës ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, komunikoi urdhrin që u ishte dhënë forcave të policisë dhe ushtrisë për të evakuuar të gjithë zonën. Sipas tij, policia ishte duke kontrolluar të gjitha shtëpitë një nga një, për të larguar të gjithë njerëzit prej tyre. Me gjithë garancitë e dhëna nga Nishani, se fshati ishte boshatisur, në orët e pasdites qytetarë të ndryshëm kanë telefonuar në redaksitë e televizioneve private për të kërkuar ndihmë, pasi ishin bllokuar në banesat e tyre. Nëpërmjet komunikimit direkt një pjesë e tyre kanë bërë të ditur vendndodhjen e tyre dhe është arritur që të largohen me helikopterët e vënë në dispozicion. Shpërthimet kanë vazhduar gjatë gjithë natës së mbrëmshme. Me rënien e errësirës, flakët që dilnin nga reparti janë bërë më të dukshme, ndërsa zhurma vazhdonte të ishte e madhe.

Paniku

Dritare dhe fasada të shkatërruara. Policia patrullon rrugët për të ruajtur shtëpitë nga hajdutët

Vora, qyteti i boshatisur. Banorët ikin

nga frika e një shpërthimi më të fortë

Një varg i gjatë me burra, gra e fëmijë, që ecin më këmbë buzë autostradës Tiranë-Durrës, të sjell ndërmend pamjet që më së shumti i kemi parë në zonat e luftës. Në fakt, situata që mbizotëronte dje në drekë në qytetin e vogël të Vorës, vetëm 20 kilometra larg nga kryeqyteti Tiranë, i përngjante shumë asaj të luftës. Autostrada e bllokuar nga policia e bënte edhe më të vështirë kalimin, ndërsa xhamat e thyer të ndërtesave buzë rrugës të linin të kuptoje se sa i fortë kishte qenë shpërthimi. Sapo mbërrijmë te postblloku i policisë, afër pikës së karburantit në Vorë, sytë të zënë njerëz të shqetësuar, një pjesë e të cilëve qajnë. "E kemi shtëpinë shumë afër repartit. Babi im ka një lokal dhe sot aty kishte dasmë", tregon ndërsa qan me dënesë vajza e familjes Muka. Ajo është e martuar dhe nuk jeton në Gërdec, por ka ardhur me nxitim sapo ka marrë vesh lajmin. Pak më tutje dikush përpiqet të lidhet në telefon me njerëzit e tij në fshat, por linja e telefonit nuk punon dhe ai shpreh dëshpërimin e tij duke sharë vënçe. Ndërkohë, në autostradë, ambulanca, makina policie, zjarrfikëse, lëvizin me shpejtësi dhe sirena në kupë të qiellit.

"Isha në shtëpi kur ndodhi shpërthimi. U dëgjua një zhurmë e madhe. Unë dola në dritare të shikoja, kur nga shpërthimi pallati lëvizi i gjithi. Xhamat e dritareve u thyen, dyert e ballkonit u shpartalluan, ndërsa vala goditëse më përplasi në mur. Pastaj dolëm nga shtëpia, por nuk u larguam nga Vora". Muharremin, një burrë rreth të 60-tave, e takojmë te kioska ku shiten gazetat. Ai thotë se shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa i është dukur si bombe atomike. "Po ç‘më pyet mua o bir. Shiko dyqanet si janë bërë", thotë Nesimi, një i moshuar, i cili ka ardhur të flasë në telefon me të birin, që ka shkuar në Tiranë të mjekohet, pasi nga shpërthimi i ka rënë dera në kokë. Një sirenë alarmi që dëgjohet pa pushim vjen nga zyrat e një banke private, dyert dhe dritaret e së cilës janë shkatërruar nga shpërthimi. Përpara saj dy policë na thonë se po ruajnë jo vetëm bankën, por edhe dyqanet, qepenat e të cilave janë shqyer krejt.

Rrugët e qytetit janë krejt të braktisura. Një pjesë e dyqaneve duket se kanë qenë të hapura në mëngjes, por pronarët e tyre janë larguar me nxitim pas shpërthimit, madje duke e lënë edhe mallin jashtë. "Po kush kishte nge për mallin mor djalë. Këtu ikën të gjithë më vrap. I kanë lënë shtëpitë hapur dhe kanë ikur në Tiranë", thotë një grua e moshuar. Diku rreth orë 14:30 lajmi se keqbërës kishin filluar të vidhnin shtëpitë e boshatisura i ka bërë uniformat blu që të fillonin të patrullonin rrugët e qytetit. "Mirë do ishte që njerëzit të ktheheshin, se ne patrullojmë rrugët, por nuk e dimë se ç‘bëhet brenda pallateve", thotë një polici i ri në moshë, i cili mendon se tashmë rreziku ka kaluar. Por fjalët e përhapura se një shpërthim edhe më i fortë do të ndodhte, ua kishte shtirë frikën edhe atyre pak njerëzve që kishin mbetur. Një burrë rreth të 40-tave dukej se po i jepte ultimatum të shoqes: "As mos të shkojë në mendje të vish. Mua nuk më gjen gjë. Ti shiko vajzat. Ik tani mos harxho kot...", dhe e mbyll celularin. Paniku i përhapur te banorët e Vorës, duket se do të jetë pasoja më e lehtë pas atij shpërthimi aq të fuqishëm. Kur të kthehen në banesat e tyre dhe frika t‘u ketë kaluar disi, ata me siguri do të fillojnë të bëjnë llogaritë e dëmeve ekonomike që u ka kushtuar kjo ngjarje e rëndë.

Nesim Xhanari

Në orën 12 fiks shpërtheu dhe na theu dyer e dritare. Djali u ngrit nga vendi dhe dera e goditi në kokë, ja m‘u këtu (tregon me dorë mesin e ballit të tij). Tani ka shkuar për t‘u mjekuar në Tiranë. E përcolla me gjithë nusen. Kam mbetur vetëm unë me plakën. Në shtëpi është bërë katastrofë. Unë jetoj në shtëpi private, në rrëzë të kodrës dhe më ka mbrojtur një çikë kodra, po të tjerët... Kanë ikur të gjithë banorët, kanë shkuar në Tiranë. Një panik i tmerrshëm. Pjesa më e madhe e shtëpive janë me dyer hapur. U dëgjuan dy shpërthime shumë të forta, me një diferencë rreth 20 minuta nga njëri-tjetri. Ato e kanë bërë gjithë këtë. Të tjerat jo. Ishin më të lehta.

Ramiz Leka

U hapën fjalë që do ketë një shpërthim edhe më të fortë dhe njerëzit kanë ikur nga frika. Ndërsa askush nga shteti nuk u doli për zot. Policia ishte shumë indiferente dhe nuk e vrau mendjen as për ato bankat që janë aty në qendër të cilave iu shkatërruan dyert nga shpërthimi. Bile edhe Kesh-i është treguar shumë indiferent. Ata duhet të ndërprisnin korrentin menjëherë. Se njerëzit kishin ndezur televizorë, soba, lavatriçe... Kalamajtë ishin duke u larë në dush dhe kishte rrezik të ndodhte ndonjë tragjedi tjetër. Se shpërthimi ishte shumë i fortë dhe këtu te ne u ndie si një tërmet. U tundën pallatet vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›