E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitë tronditëse të banorëve

Punëtorët e firmës amerikane që ishte kontraktuar për çmontimin e municioneve tregojnë se në momentin e shpërthimit kanë qenë duke punuar. Përparim Sula tregoi dje se në momentin e shpërthimit, në godinë ndodheshin 50-60 punonjës. Punëtori i plagosur tha se në orët e para të ditës erdhi një urdhër për të transportuar në depo barutin e zbrazur nga predhat. Ai shtoi se punëtorët që ndodheshin brenda në depo po transportonin barutin, ndërsa një pjesë tjetër ndodheshin jashtë për të hequr gëzhojat. Gjithashtu, dëshmitari shtoi se gjatë momentit të shpërthimit ka parë shumë punonjës të shtrirë përtokë, por ai nuk di të thotë nëse ka viktima.

Një tjetër punëtor i firmës amerikane, që ishte kontraktuar për çmontimin e municioneve, tregoi se në momentin e shpërthimit kanë qenë duke punuar të paktën 150 persona. Shefki Sefaj, dëshmitar nga vendngjarja, shprehet më tej se kishte rreth një vit që punonte në këtë firmë, ndërsa shton se vendi ka qenë me njerëz sepse kishte dasmë. "Unë punoj për firmën amerikane, ku punojnë rreth 150 persona. Aty ndodhen edhe 20 familjarët e mi, motra e vëllezër. Ai thotë se në depo punohej pa specialistë. Sefaj thotë se fëmijët kanë qenë përreth repartit, ndërsa të dhënat e para flisnin për dhjetëra të vdekur", thotë Sefaj. Dëshmitarët kanë vijuar të japin dëshmi kontradiktore. Punonjësi Kadri Meçi, i mbijetuar nga shpërthimi thotë se: Isha brenda fabrikës, ku kam punuar që në fillim. Unë punoja për çmontimin e artilerisë, e cila është një pjesë e punishtes. Kam qenë 200 metra larg nga vatra e shpërthimit, kështu që shpëtova, por nuk arrij ta përcaktoj se sa ka qenë numri i të vdekurve. Ka qenë një numër i madh i personave të pranishëm në momentin e shpërthimit. Shpërthimi ka qenë tepër i shpejtë dhe njerëzit janë gjymtuar dhe nuk kanë munduar t‘i shpëtojnë të gjithë". Më pas thotë se di që stafi drejtues, punëtorë, kanë qenë të pranishëm. "Është shkatërruar gjithçka në seri, nga porta kryesore e deri në fund ku kanë qenë të grumbulluar materialet. Gjithçka ka qenë mbijetesë, kush ka mundur është larguar. Unë rashë një herë pa ndjenja dhe më pas mora veten dhe nuk munda të merrja vesh se çfarë po ndodhte", thotë dëshmitari. Në fund deklaron se nuk e di se çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër që ishin të pranishëm në depo. Ndërsa saktëson se është tërhequr zvarrë "deri sa munda të shpëtoj". Sipas tij, brenda ka pasur kalibra të ndryshëm të municioneve.

Njëri prej punëtorëve që merrej me çmontimin e predhave në depon e Gërdecit, Albin Rexhaj, ka sjellë dëshminë e tij rrëqethëse për "Top Channel". Ai ka pohuar të ketë parë njerëz që digjeshin të gjallë, apo që nxitonin për të shpëtuar, për shkak të plagëve të rënda të marra në gjymtyrë. Rexhaj ka pohuar se gjatë kohës së shpërthimit në repart ndodheshin rreth 60 punëtorë të turnit, të cilët aktualisht ndodhen të bllokuar. Rexhaj ka treguar se një pjesë kanë arritur të shpëtojnë, por nuk dihet fati i të tjerëve. Sipas dëshmitarëve, çmontimi i predhave bëhej me dorë.

Një dëshmitar tjetër ka treguar "luftën" për mbijetesë të punonjësve të firmës. Një nga zjarrfikësit, i cili ka mbërritur në vendngjarje, i quajtur Sadik, thotë se në momentin e shpërthimit shokët e tij u përplasën për tokë, ndërsa banorët vraponin për t‘i shpëtuar djegies.

Ndërkohë shpërthimi i fuqishëm në Gërdec të Vorës, në një depo, gjatë operacionit që po bëhej atje për asgjësimin e municioneve, është filmuar nga një kamera amatore. Shpresa Proseku, një qytetare nga fshati Gërdec, është paraqitur në televizionin "Top Channel", për të paraqitur videon ku dukej qartë shpërthimi i fuqishëm në depo. Shpresa ka treguar e tmerruar ngjarjen e rëndë, ndërsa ka deklaruar se bashkëshorti i saj, Gentian Proseku, ka filmuar gjithçka. Ajo ka rrëfyer se shtëpia është shkatërruar plotësisht pas shpërthimit të dytë të fuqishëm. Ajo tha "se dua të kuptoj se çka ka ndodhur në të vërtetë".

Dëshmia për Berishën

Qemal Mema: Ishim në 21 grupe, prej tri vetash

Kryeministri Sali Berisha mori dëshminë e një të mbijetuari. Pyetjeve të Kryeministrit, Qemal Mema iu përgjigj: Isha te dera. Ishim në 21 grupe, prej tri vetash. Pastaj të tjerët kanë qenë ndihmës. Me mua kanë ardhur rreth 15 persona, kurse të tjerët kanë mbetur aty. Më dha Zoti fuqi dhe eca me vrap. Kapa një makinë rrugës dhe erdha këtu. Mema ishte i plagosur në dorë dhe kokë, të cilat i kishte fashuara.

Dëshmia

Kamerieri tregon se si u shua në pak sekonda gëzimi. Nuk dihet fati i nuses dhe dhëndrit

Dasma e përgjakur në fshatin e katastrofës

Ndërsa në depot e armatimit të Gërdecit punohej fort për të kryer çaktivizimin e predhave dhe mes punëtorëve kishte dhe civilë të shumtë, gra, të rinj e fëmijë, në një lokal të fshatit, ende në ndërtim festohej. Shpërthimi i ka gjetur dasmorët në sallën e lokalit, duke iu gëzuar bashkimit nën kurorë të çiftit të ri nga fshati Merqenet. Askush nuk di të thotë për fatin e çiftit dhe të dasmorëve të tjerë. Madje, as emrat e nuses dhe dhëndrit nuk arrijnë të kujtohen. Pasojat e asaj ç‘ka ndodhi janë ende të freskëta dhe shumë të rënda. Mes atyre që qenë pjesë e dasmës dhe mbërritën për mjekim në Durrës është një kamerier nga Gërdeci dhe kameramani i dasmës, një burrë nga Maminasi, Sami Osmani, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Përtej dyerve të spitalit, e bija, e martuar në Tiranë, dridhet për gjendjen e të atit. "I dija emrat e atyre që po martoheshin, po tani nuk më kujtohen. Nuk më vjen ndër mend thuajse asgjë, vetëm se kur arrita të dal nga lokali dhe ktheva kokën pas, nuk e pashë më. Nuk ekziston më. U shemb nga shpërthimi", tregon për gazetën Denis Muka, 20 vjeç nga fshati Gërdec, i cili shërbente si kamerier në lokalin ku po festohej dasma e radhës. "Dasmorët ia mbathën nga sytë këmbët. Askush nuk pa se ç‘bënte tjetri, të gjithë përpiqeshin të shpëtonin kokën e tyre. Këtu nuk kam parë ndonjë prej tyre. Ndoshta kanë shkuar në Tiranë, në spital. Ndoshta nuk kanë arritur të dalin nga lokali. Nuk e di", vazhdon ai. Ka humbur celularin dhe pas mjekimit qëndron në pritje të të afërmve për ta marrë dhe transportuar, ende nuk e di se ku. Është banor i fshatit në shpërthim. Nuk di asgjë se cilat janë përmasat e pasojave të shpërthimit, po për një gjë është i sigurt, se kjo mund të shmangej pasi paralajmërimi ishte bërë muaj më parë, kur u shënua një incident pa të plagosur, po sinjifikativ. Shpërtheu një sasi fishekësh brenda në depo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›