Shpërthimi, bllokohet autostrada Tiranë-Durrës
Disa minuta pas shpërthimit të fuqishëm në fshatin Gërdec në periferi të Tiranës, Policia e Shtetit ka bllokuar autostradën Tiranë-Durrës. "Për shkak të gjendjes së krijuar në Gërdec, Vorë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve se nuk do të lejohet kalimi i automjeteve nga autostrada Tiranë-Durrës dhe anasjelltas", thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit, duke vijuar më tej se "ju lutemi qytetarëve të na mirëkuptojnë dhe të gjejnë rrugë të tjera për të lëvizur në drejtim të këtyre dy qyteteve". Ndalimi i qarkullimit në këtë aks do të vazhdojë deri në njoftim të dytë. Deri në orët e pasdites së djeshme, autostrada vazhdonte të ishte e bllokuar, pasi shpërthimet kanë vazhduar deri në orët e vona. Situata pritet të normalizohet ditën e sotme, deri me një vendim të Policisë së Shtetit. Ndërkohë që është hapur një korsi për rastet emergjente.
Kërkimet e policisë
Krahas Policisë së Shtetit, në grupin e emergjencës ka bërë pjesë edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili ka deklaruar se forcat e policisë kanë kontrolluar shtëpitë në fshat, ndërsa nuk janë gjetur të vdekur. I pyetur nëse ka pasur të vdekur, ai tha: "Policia nuk ka të identifikuar viktima. Në shtëpi përreth zonës kemi gjetur njerëz të larguar dhe traumatizuar. Vatra pranë vendit të ngjarjes mund të ketë viktima. Kemi kontaktuar punonjës të firmës, të cilët janë pranë familjeve. Nuk mund t‘i identifikojmë. Janë kontrolluar tunelet, nga ku janë nxjerrë punëtorët dhe banorët. Grupi më i afërt i forcave të policisë është 50 metra larg vatrës së zjarrit". Pasditen e djeshme, policia ka publikuar edhe numrin e kontaktit. "Ju lutemi qytetarëve që për çdo lloj ndihme të telefonojnë në numrin e policisë pa pagesë, 129. Shërbimet e policisë do të jenë pranë tyre për çdo rast denoncimi", thuhet në një njoftim të policisë.
Shtabi i emergjencës
Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Mbrojtjes Civile nxorën nga një tunel në afërsi të vendngjarjes dhjetëra banorë të zonës, ndër të cilët ndonjë edhe me plagosje të lehta. Transportimi i tyre u krye me helikopter. Ndërkohë që repartet e Xhenios dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë gjetur në vendin e ngjarjes edhe një tjetër të plagosur në gjendje të rëndë. Ka ende pjesë të territorit të pakontrolluar, për shkak të shpërthimeve që vazhdojnë. Puna ka vazhduar intensivisht deri në orët e vona të ditës së djeshme. Mësohet nga policia se katër të vdekurit kanë qenë punëtorë të fabrikës. Sipas dëshmitarëve, të cilët kanë qenë në vendngjarje duke punuar, njoftohet se numri i punonjësve në fabrikë ka qenë rreth 110 punëtorë. Sikundër po këta dëshmitarë pohojnë se midis shpërthimit të parë dhe shpërthimit të dytë ka pasur një distancë kohore prej 10 minutash, të cilën shumë prej punëtorëve e kanë shfrytëzuar për t‘u larguar nga vendi i ngjarjes. Po bëhen përpjekje për t‘u identifikuar një nga një të gjithë punëtorët, por situata është e vështirë dhe vazhdojnë shpërthimet.
Strehimi nga Ministria e Brendshme
Shtabi i Emergjencës njoftoi dje banorët e vendit të ngjarjes dhe zonave përreth se duhet të paraqiten përpara Ministrisë së Brendshme nëse ndodhen në Tiranë, përpara Bashkisë së Vorës, nëse janë në zonën përreth ngjarjes, për të hipur në autobusët që janë vënë në dispozicion për t‘i shpënë ata në godinat e Kavaleshencës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Ministrisë së Brendshme në Durrës, ku edhe do të strehohen.