E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati në Frakull për pronën

Atentati i së hënës, ndaj kreut të Komunës Frakull, ka ndodhur për shkak të një konflikti pronësie. Sipas burimeve zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, si dhe atyre nga grupi i hetimit, pista kryesore e hetimit është konflikti personal, që kreu i komunës, Viktor Çervanaku, ka me autorin e atentatit, 32-vjeçarin Dashnor Kapaj. Gjithçka ka të bëjë me pronësinë e një sipërfaqeje prej 3 hektarësh, e cila ndodhet në zonën e Frakullës. Burime nga grupi i hetimit bëjnë të ditur për gazetën "Shqip", se Dashnor Kapaj, pas kthimit nga Greqia, ka mundur të fitojë ligjërisht pronësinë mbi sipërfaqen e sipërpërmendur. Njohja e pronës së tij është bërë në Agjencinë Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe është regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Fier.

Por, për të njëjtën pronë kanë pasur pretendime edhe të afërm të kryetarit të komunës, të cilët, sipas burimeve policore, kanë arritur të njihen si pronarë nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në Fier, por në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk kanë mundur ta regjistrojnë në emër të tyre të njëjtën pronë. Kjo ka bërë që mes Dashnor Kapajt dhe kreut të Komunës Frakull, Viktor Çervanakut, të nisin përplasjet. "Kjo është pista që po hetohet intensivisht nga grupi i hetimit, i ngritur për këtë çështje", thonë krerë të Policisë në Fier. Po ashtu, burime policore pohojnë se do të merren në pyetje shumë zyrtarë, të cilët kanë kryer e njohur mbivendosjen e pronave, e cila çoi në përplasjen e djeshme, që fatmirësisht nuk përfundoi me humbje jetësh. Paralelisht me sektorin e krimeve të Drejtorisë së Policisë së Fierit, për zbardhjen e kësaj ngjarjeje po punon edhe sektori i luftës kundër krimit ekonomiko-financiar, që pritet të nisë procedimin për zyrtarët që janë përfshirë në plotësimin e dokumentacionit për 3 hektarët e konfliktit.

Autori i arrestuar i atentatit ka pranuar në polici veprat penale të kryera mesditën e së hënës, ndërkohë që ka sqaruar para hetuesve se kanë qenë përpjekjet e kryekomunarit për t‘i marrë pronën arsyeja e vërtetë e incidentit të rëndë.

Ndërkohë, konflikti për pronën nuk është përmendur fare nga kreu i Komunës Frakull, i cili menjëherë pas incidentit doli në një konferencë për shtyp. Dje, kryekomunari Viktor Çervanaku tha për gazetën "Shqip", se sipërfaqja në fjalë rezulton të jetë pronë e komunës, edhe pse për të ka shumë pretendime. Sipas Çervanakut, shkak i konfliktit kishte qenë një vërtetim që nuk i ishte dhënë Dashnor Kapajt, sepse nuk kishte paguar taksat. Por policia nuk e ka marrë parasysh këtë pistë, duke hetuar paralelisht me ngjarjen, edhe akuzat që bën i arrestuari lidhur me mbivendosjen e pronës.

Ndërkohë, nga spitali i Fierit mësohet se gjendja e të plagosurve në ngjarjen e së hënës është përmirësuar. Asnjë prej tyre nuk ka qenë i shtruar dje në spital, pasi qysh të hënën në mbrëmje ata kanë shkuar nëpër banesa.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›