E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, këshilltarët e djathtë bllokojnë buxhetin e bashkisë

Këshilltarët e djathtë kundërshtojnë projektbuxhetin e vitit 2008, ndërsa argumentojnë qëndrimin e tyre me paaftësinë e dëshmuar në hartimin e tij nga administrata bashkiake. "Është një fotokopje e atij të vitit të kaluar. Kanë ndryshuar vetëm shifrat", shprehet Eduard Ndreu, këshilltar i PD-së në bashki dhe njëkohësisht drejtor i Autoritetit Portual Durrës. Projektbuxheti i paraqitur vlerësohet pa vizion mbi të ardhmen dhe ndërhyrjen në edukim. Ndërkohë, bashkia ka deklaruar se për herë të parë ka realizuar një projektbuxhet të bazuar në nevojat e komunitetit, një projektbuxhet me pjesëmarrje për të përmbushur të gjitha nevojat emergjente të tij. Ndërsa qytetarët durrsakë komentojnë vonesën e paraqitjes dhe mosmiratimin e buxhetit të këtij viti, që ka mbyllur tre muajt e parë, Ndreu në një deklaratë ka arsyetuar qëndrimin e tij dhe të këshilltarëve të tjerë të djathtë kundër projektbuxhetit. Mosmiratimi i tij nga këshilltarët e djathtë u komentua si pengesë që i bëhet pushtetit vendor me pasoja në jetën e komunitetit. Ndërkaq, Eduard Ndreu thotë se paraqitja e vonuar e projektbuxhetit ka shkaqet e veta, që lidhen kryesisht me paaftësinë e ekipit drejtues të bashkisë, që synon të paraqesë bujshëm një projekt që ndryshon vetëm në shifra nga ai i një viti më parë. Duke vlerësuar se thelbi i suksesit të pushtetit vendor është aftësia e tij për të mbledhur paratë nëpërmjet mekanizmave ligjorë dhe vënia e tyre në shërbim të komunitetit dhe hapësirave publike, Ndreu thotë se nëpërmjet buxhetit të paraqitur "e ardhmja është e paprojektuar, ka një mungesë të qartë vizioni mbi të ardhmen, pasi nuk i paraprihet me projekte dhe institucioneve të edukimit nuk i është kushtuar vëmendja që meritojnë". Performanca e bashkisë në vjeljen e taksave është vlerësuar e ulët nga këshilltarët e djathtë. Pavarësisht këtyre, bashkia ka parashikuar rritjen e të ardhurave të veta në masën 20 për qind, por pa dhënë argumente. Të djathtët kundërshtojnë edhe qëndrimin e kryebashkiakut Dako ndaj privatizimit të shërbimeve publike dhe këndvështrimit të bashkisë si një punëdhënës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›