E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Fort Diks", shqiptari dënohet me 20 muaj burg

Gjykata amerikane jep vendimin për një nga katër shqiptarët e arrestuar nga FBI-ja nën akuzën e terrorizmit. Bëhet fjalë për ngjarjen që ndodhi vitin e shkuar, ku u përfshinë gjashtë persona, mes të cilëve edhe katër shqiptarë. Shqiptari i dënuar dje, i cili është Agron Abdullahu nga Kosova, është dënuar me 20 muaj burg nën akuzën e dhënies ndihmë në komplotin e planifikuar ndaj bazës ushtarake amerikane "Fort Dix". Sipas të dhënave nga mediat amerikane, Agron Abdullahu u akuzua vetëm se kishte furnizuar me armë grupin që po komplotonte sulmin ndaj ushtarëve amerikanë në "Fort Dix" të Nju-Xhersit. Roli i tij quhet vetëm ndihmës, megjithatë gjyqtari i çështjes, Robert Kugler, tha se dënimi mund të ishte edhe më i madh për shkak se i pandehuri e dinte se personat që do të përdornin armët flisnin për dhunë kundër amerikanëve. Por, Abdullahu i kërkoi falje gjykatës, duke thënë se nuk i kishte marrë seriozisht bisedat e personave komplotues. Të pandehurit e tjerë të kësaj çështjeje janë vëllezërit shqiptarë Elvir, Shain dhe Dritan Duka, turqit Serdar Tatar dhe Mohamed Shnever. Këta të fundit janë akuzuar për komplot ndaj forcave amerikane, edhe pse ai u zbulua pak para zbatimit të tij. Nëse dënohen tre shqiptarët dhe dy të tjerët, atëherë ata do të marrin dënim me burgim të përjetshëm. Sipas raportit të agjentit special John J. Ryan, që ka bërë hetimin mbi grupin, të lexuar në distriktin gjyqësor të Nju-Xhersit, grupi u "vetëzbulua", duke dërguar materialet e filmuara, ku ata shanin SHBA-në dhe paralajmëronin sulmin ndaj bazës, në një dyqan ku shiteshin DVD. Agjenti ka thënë se ata kishin kërkuar t‘i hidhnin këto materiale nga kaseta në DVD. Ngjarja ka ndodhur në fund të janarit dhe punonjësi i dyqanit të DVD-ve i ka denoncuar ata në FBI, e cila pas kësaj ka filluar hetimet rreth personave. Agjenti thotë se videoja ishte parë në FBI dhe në të shfaqeshin dhjetë persona që qëllonin me armë dhe bënin thirrje për "Jihad" (Lufta e shenjtë), në SHBA. Nga këta, FBI-ja ka identifikuar gjashtë prej tyre, katër prej të cilëve janë shqiptarë dhe dyshohet se njëri prej tyre ka qenë snajper në Kosovë. Dritan Duka, sipas dosjes së gjykatës së Xhersit, me numër 07-M-2046 (JS), njihej edhe me emrat Anthony Duka, Distan Duka, Toni Duka dhe ishte ilegalisht në SHBA, por ai i kishte siguruar pjesës tjetër të grupit hartat dhe foto të bazës, të cilën pretendonte se i njihte.

Kronologji

Arrestimi i katër

shqiptarëve në SHBA

Katër shqiptarët e akuzuar për terrorizëm u arrestuan nga FBI-ja në maj të një viti më parë. Pikërisht më 7 maj të vitit 2007, FBI-ja arrestoi gjashtë persona të dyshuar si terroristë, mes tyre edhe katër shqiptarë. Sipas të dhënave nga dosja e gjykatës, katër prej të arrestuarve janë me kombësi shqiptare, ndërkohë që jetonin në Maqedoni dhe Kosovë. Ndërsa dy personat e tjerë të arrestuar nga FBI-ja ishin jordanezi Mohamad Shnever dhe turku Serdar Tatar. FBI-ja deklaroi në atë kohë se gjashtë personat janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën akuzën se ishin duke përgatitur një sulm të armatosur kundër bazës ushtarake të "Fort Dix", në Nju-Xhersi, ku stërviten ushtarët që nisen për në Irak. Dy persona të paguar nga FBI-ja për t‘u bërë pjesë e grupit, kanë mundur të sigurojnë një informacion të vazhdueshëm mbi punët e grupit. Prej majit 2006 deri në maj të 2007-s të dy agjentët kanë raportuar raste kur personat merrnin nën vëzhgim bazën, kryenin përgatitje ushtarake, të cilat i filmonin, apo grumbullonin në mënyrë ilegale municione. Në maj u realizua arrestimi i tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›