E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenden në det dy fëmijë të mbytur

Një patrullë e policisë kufitare të Durrësit ka zbuluar dy trupa të pajetë fëmijësh dje, disa qindra metra në brendësi të detit. Zbulimi i tmerrshëm është bërë rreth orës 20:45 të mbrëmjes. Burime të policisë lokale thanë se trupat u gjetën gjatë patrullimit rutinë të një skafi të policisë kufitare, që lëvizte në zonën që kufizohet në brigje me Portin Detar dhe shëtitoren "Taulantia". Trupat e pajetë janë dërguar menjëherë në morgun e spitalit rajonal të Durrësit, ku i janë nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Eksperti i mjekësisë ligjore që këqyri trupat, tha dje se fëmijët, të seksit mashkull, ishin të moshës nga 10 deri në 12 vjeç. Ata mendohet të kenë gjetur vdekjen jo më shumë se 12 orë nga momenti i gjetjes në det. Mjeku tha gjithashtu, se nga ngjashmëria fizike fëmijët mund të jenë vëllezër ose kushërinj. Nga ekspertiza u saktësua gjithashtu se nuk bëhej fjalë për fëmijë të braktisur apo lypsarë, pasi nga veshjet që u janë gjetur në trup dhe nga të dhënat fizike, kuptohej që kishin jetuar në kushte normale. Mësohet se njëri nga fëmijët kishte një të çarë në kokë dhe gërvishtje në fytyrë, por nuk është përcaktuar ende nëse këto plagë i kanë shkaktuar vdekjen, apo i ka marrë gjatë momentit të mbytjes. Rreth një orë e gjysmë pas gjetjes së trupave në det, pranë morgut të spitalit të Durrësit janë interesuar disa familje nga Durrësi dhe Tirana. Burime policore thanë se në pritje për të bërë identifikimin e kufomave ishin dy familje nga Bathorja, fëmijët e të cilëve ishin nisur dje në mëngjes për në shkollë dhe nuk ishin kthyer në shtëpi. Të dhënat që kanë dhënë prindërit nga Bathorja përputhen me ato të kufomave dhe sipas policisë, fëmijët mund të jenë Besart Sokoli, 11 vjeç, dhe Doris Nikli, 12 vjeç.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›