E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodani dhe Çako, “live” në Durrës



Në qytetit bregdetar të Durrësit sot do të performojnë “live” dy prej kantautorëve shqiptarë më të dëgjuar të muzikës pop. Buzë detit, koncerti do të nisë me këngën "Marinari". Ky i sotmi do të jetë bashkëpunimi i parë midis Kujtim Prodani dhe Pirro Çakos dhe pas vitesh bijtë do të risjellin në skenë tre prej këngëtarëve më të njohur të muzikës shqiptare të traditës, Anita Takes, Gaqo Cako dhe Luiza Papa. Skena do të jetë shumë e thjeshtë, në të do të vendosen vetëm dy pianot e kantautorëvë. Ndërsa në rolin e prezantuesve do të jenë vetë dy protagonistët e mbrëmjes. Kantautori Kujtim Prodani iu përgjigj disa pyetjeve të gazetës "standard" mbi hollësitë e organizimit të koncertit dhe mbi planet e tij në të ardhmen:

Si ju lindi ideja për këtë koncert, ishte një ide e menduar gjatë apo iu përgjigj rastësisë së stinës verore?

Thjesht spontanisht gjatë 8 marsit të këtij viti Pirro ishte i ftuari i mbrëmjes në piano-barin që unë menaxhoj dhe pas një programi prej dy orësh pyetëm vetveten përse të mos ta provojmë një program të tillë pasi ishte i suksesshëm atë mbrëmje. Dhe në ambiente te tjera dhe pse jo jashtë Tiranës. Kështu lindi ideja për të realizuar këtë koncert në Durrës, pasi ky qytet mua më pëlqen dhe kam dobësi për detin. Qytetarët e Durrësit në përgjithësi janë artdashës dhe kështu lindi ideja për të shkuar në Durrës.

Mund të na thoni, ky është bashkëpunimi i parë më Pirro Çakon apo keni bashkëpunuar dhe më parë?

Ky është vërtet bashkëpunimi i parë mes nesh, Pirro ka qenë shumë vite larg Shqipërisë dhe unë gjithashtu. Derisa një ditë u takuam Tiranë (para dy vitesh) dhe Pirro më kërkoi që të kthehesha në Tiranë, ai me tha se publiku do të presë mirë dhe se do të merrja shumë sadisfaksione. Më duhet të them se kishte të drejtë dhe unë prandaj e falënderoj.

Mendoni se bashkëpunimi juaj do të vazhdojë dhe në të ardhmen?

Ideja është që ne të vazhdojmë përsëri bashkëpunimin tonë. Ne kemi planifikuar një tur të tillë, të them të drejtën koha nuk është e përshtatshme, sepse pushimet po mbarojnë dhe ndoshta ne e startuam disi me vonesë këtë vit. Por për vitin e ardhshëm jam i sigurt që ky tur do të shkojë edhe në vende të tjera të Shqipërisë, jo vetëm në bregdet, por edhe në qytete të ndryshme.

Ideja që patët për të ftuar tri artistët përshëndetës përveç lidhjes suaj familjare, a lidhet me ndonjë dëshirë tuajën për të “ngacmuar” publikun me repertorin e tyre?

Në repertorin tim unë kam një duet me Anita Taken është një këngë që unë e kam shumë përzemër. Ndërkohë që dhe Pirro Çako ka një duet me të atin, Gaqo Çako dhe na lindi ideja përse të mos ftojmë prindërit tanë të cilët janë artistë që i kanë dhënë publikut dhe prandaj mendoj se publiku do t’i presë me kënaqësi të tre këta artistë.

Meqenëse po flasim për repertorin, mund të na thoni për dallimet midis repertorit tuaj “Prodani, Çako” dhe repertorit të të ftuarve të nderit?

Natyrisht në repertorin tim dhe të Pirros ka këngë të reja të cilat janë kompozimet tona të marra nga albumet tona si “I'm from Tirana” dhe nga albumet e Pirros “Mos më krahaso”, si dhe “Herët a vonë”, por dua të theksoj se ka edhe këngë të shekullit të cilat i kam kënduar dhe më parë. Duke menduar se në një farë mënyre edhe repertori i të ftuarve është një repertor i “shekullit” dhe mendoj që do të jetë një program koherent dhe do të vijë bukur tek publiku.

Po midis repertorit tuaj dhe të Pirro Çakos, a mund të na thoni disa nga ndryshimet?

Ne kemi pak a shumë të njëjtin stil, jemi të dy kantautorë të muzikës së lehtë apo siç quhet ndryshe pop. Mendoj që të dy jemi muzikantë që i përkushtohemi tekstit, dhe mendoj që do të jetë program i plotë dhe nuk do të ketë kontrast të fortë midis muzikës sime dhe të tijës. Pra them se jemi në një rrymë muzikore. Por them se në muzikën time mbizotëron më shumë pianoja.

A mund të na përshkruani pak skenën?

Skena do të jetë shumë e thjeshtë, dy piano, dy pianistë, dy miq, dy profesionistë, aspak rival, në skenë pranë njëri-tjetrit. Kjo është skenografia e menduar nga ne mes të saj do të vendosim dy piano dhe Pirron me Kujtimin.

A do të keni një duet me Pirro Çakon?

Ne nuk e kemi menduar që të bëjmë një duet bashkë, por vetëm të shoqërojmë njëri-tjetrin. Ramë dakord që secili prej nesh të interpretojë këngët sipas mënyrës së tij, por që nuk përjashtoj ndonjë duet mes nesh, sepse spontanisht mund të lindë diçka, por në program nuk është vendosur.

Kam dëgjuar se rolin e konferencierit e keni marrë përsipër vetë. Kaq përzemër e keni komunikimin me publikun?

Ndjehem mirë kur komunikoj me publikun dhe ia propozova dhe Pirros, kështu që ky program sot në darkë do të prezantohet nga ne të dy. Programi do të hapet me këngën e “Marinarit”, sepse mendoj se kjo këngë është kaq e bukur dhe kaq e thjeshtë, që është kthyer në një hit prej 30 vitesh. Kjo këngë është e lidhur shumë me qytetin e Durrësit, sepse ka dalë nga ky qytet dhe është kënduar aq bukur nga Zija Saraçi, kështu që kjo këngë do të jetë një lajtmotiv i gjithë mbrëmjes.

A do të promovoni këngë të reja në këtë koncert?

Mendoj se nuk është rasti për të promovuar këngë, ne po punojmë për të realizuar albumet tona. Unë do ta paraqes para publikut në vjeshtë, ndërsa Pirro pas pak ditësh do të niset në Paris për të realizuar një produksion dhe kemi goxha ngarkesë për momentin, po këngë të reja nuk prezantojmë.

A duhet të rrijë publiku në pritje të një albumi të ri?

Them që në vjeshtë publiku do ta ketë në dorë albumin tim të ri dhe do të jetë ai vlerësuesi i punës sime trevjeçare.

A është e vështirë për një artist për të gjetur sponsor për spektakle të ndryshëm?

Është shumë e vështirë të gjesh sponsor, por ka dashamirës të cilët janë shumë pak, megjithatë edhe pse janë shumë pak, unë përfitoj nga rasti për t’i falënderuar ashtu siç falënderoj dhe “FlagShip Center” dhe dua të falënderoj Bashkinë Durrës dhe në veçanti kryetarin e saj, Vangjush Dakon.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›