E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti i 17-të i Lubonjës

Dy vetë ndodhen në pozicione krejt të ndryshme në vitin 1990 në Shqipëri. Njëri ndodhet në burg, i përjashtuar nga sistemi, tjetri në shtëpi dhe pjesë e sistemit. Jetët e tyre mund të jenë të këmbyeshme, por sa të këmbyeshme? Kjo është përmbajtja e njërës prej instalacioneve të Gent Halilit që prezantoi në “Kunst am Karre 2008”. Punimi quhet "Fragmente nga viti i 17-të". Viti i 17-të është viti i 17-të në burg i Fatos Lubonjës

Viti i 17-të i Lubonjës

“Kunst am Karre” është një aktivitet artistik që zhvillohet për herë të gjashtë në Mynih. Përkrah punimeve të tjera, këtë vit pati punime që lidhen me Shqipërinë.

Dy vetë ndodhen në pozicione krejt të ndryshme në vitin 1990 në Shqipëri. Njëri ndodhet në burg i përjashtuar nga sistemi, tjetri në shtëpi dhe pjesë e sistemit. Jetët e tyre mund të jenë të këmbyeshme, por sa të këmbyeshme?

Kjo është përmbajtja e njërës prej instalacioneve të Gent Halilit që prezantoi në “Kunst am Karre 2008”. Punimi quhet "Fragmente nga viti i 17-të". Viti i 17-të, është viti i 17-të në burg i Fatos Lubonjës, tekstet e të cilit të botuara në librin me të njëjtin titull, janë përkthyer në gjermanisht dhe janë pjesë e instalacionit. Halili mbivendos tekstin e Lubonjës, që është një ditar burgu, mbi disa fotografi që tregojnë jetën familjare të një funksionari partiak.

"Në njëfarë mënyrë nuk është vetëm një konfrontim i fatkeqësisë të të burgosurit politik me fatin e një funksionari partiak, por është edhe një si ta themi si simbol, një pasqyrë e arbitraritetit stalinist që mund të kishte kapur njërin, por mund të kishte kapur edhe tjetrin. Dy gjëra janë të rëndësishme atje, aktualiteti i zhdukjes së njerëzve nëpër burgje në emër të një sistemi, por edhe që fati i njeriut është komplet i pafuqishëm karshi vullnetit burokratik administrativ".

Nora Wagner është kritike arti dhe shprehet se: Ajo që është interesante në veprën "Fragmente nga viti i 17-të" është vendosja përballë njëra-tjetrës të dy jetëve, të një funksionari politik dhe të vitit të shtatëmbëdhjetë të një të burgosuri politik, vendosje që në fakt funksionon. Kur ndodhesh në këtë instalacion të krijohet përshtypja se jetët e tyre mund të jenë të këmbyeshme. Kur ndodhesh në mes të këtij instalacioni dhe dëgjon tekstin, atëherë nuk e ndien veten mirë dhe ndodhesh në një situatë të ngarkuar.

Sistemi komunist është po ashtu temë e instalacionit tjetër "Quitzowstrasse". Bazë është një dosje me gazeta lokale të Berlinit të viteve tetëdhjetë. Autori që ka jetuar po ashtu në Berlin: "Unë e kisha shumë afër murin, jo vetëm duke banuar relativisht afër kufirit, por edhe me këtë gjetjen që bëra afër bodrumit, që ishte ajo dosja me ato artikujt e mesit të viteve ‘80 nga përditshmëria e gazetarisë së Berlinit ku në mes të lajmeve tepër banale që kanë të bëjnë me korrupsione të lehta të partive lokale, me marrjen e financimeve me ngritjen e çmimit të naftës, dalin edhe lajme që kanë të bëjnë edhe me të vrarët e Murit të Berlinit, por pa spektakolaritet, si lajme të vetëkuptueshme, si parashikimi i kohës për nesër".

Instalacioni i kthen shikuesit mbrapsht në vitet ‘80 në Berlin, një kohë kur banorët e pjesës perëndimore dhe lindore të qytetit mendonin se muri do të qëndronte i ngritur edhe për 100 vjet.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›