E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokainë në shishet e verës franceze

Vdekja e çiftit të helmuar me verë në Golem të Kavajës disa muaj më parë, bëhet shkak për fillimin e hetimeve për një grup kriminal, që dyshohet se trafikon kokainë përmes përzierjeve në shishet e verës. 

Trazhgim Sokolaj

Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë ka regjistruar procedim penal dhe ka filluar hetimet për veprën penale të "trafikimit të narkotikëve", duke iu referuar rastit të helmimit të Tomi Rrumbullakut, ish-punonjës në një kompani postare dhe Diana Xibrakut, mikeshë e tij. Dy viktimat e helmimit vdiqën në janar 2008, teksa po drekonin në një lokal në Golem, ku kishin konsumuar nga një shishe me verë franceze. Ekspertiza e mjekësisë ligjore arriti të zbulojë sasi të lartë kokaine në përqendrimin e tretësirës së verës, që ishte konsumuar nga dy viktimat e ngjarjes së ndodhur shtatë muaj më parë. Pas këtij fakti policia e Tiranës, e cila po hetonte ngjarjen bëri verifikime të hollësishme nëse ndonjëri nga viktimat kishte hedhur drogë në verë, por një gjë e tillë nuk u provua. Sipas burimeve zyrtare, shishja e verës ishte marrë me vete nga Tomi Rrumbullaku, i cili kishte preferuar të konsumonte nga pija e tij, teksa drekonte në një restorant në Golem të Kavajës. Ngjarja mbeti mister për disa muaj për shkak se nuk u gjet ndonjë provë që të saktësonte nëse droga në verë ishte hedhur nga viktimat e ngjarjes para se ata të konsumonin pijen alkoolike. Së fundi, policia duket se ka gjetur prova që tregojnë se asnjëri nga dy të helmuarit nuk e kishte kryer një veprim të tillë, çka lë vend për dyshime të bazuara se pas shishes me pije të shtrenjtë franceze, fshihet një grup kriminal që në mënyrë të sofistikuar trafikon kokainë përmes përzierjes me verë. Për këtë shkak, materialet hetimore të ngjarjes së ndodhur në Golem të Kavajës në janar të këtij viti, i janë referuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka për kompetencë hetimi grupet kriminale dhe trafiqet e paligjshme përfshi narkotikët.
Hetimi për trafik
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat konfirmuan lajmin, mësohet se materiali hetimor është referuar pak ditë më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kjo e fundit në bashkëpunim me Sektorin e Antidrogës po hetojnë rreth një grupi kriminal, i cili për të fshehur lëvizjen e drogës hedh kokainë në sasi të lartë në shishet e verës, që transportohen duke u deklaruar si pije alkoolike, çka e bën të vështirë zbulimin e narkotikut brenda shisheve të mbyllura të markave të ndryshme nga më të njohurat e verës. Pas mbërritjes së shisheve në destinacion, përmes pajisjeve dhe mënyrave të sofistikuara trafikantët arrijnë të veçojnë kokainën nga vera. Gazeta disponon edhe markën e pijes franceze, por prokuroria kërkoi që ajo të mos publikohet për shkak të sekretit hetimor. "Kemi dyshime se, përmes metodës së tharjes trafikantët arrijnë të nxjerrin kokainën nga vera. Përmes kësaj mënyre që realizohet në laboratorë të sofistikuar, pija alkoolike avullon dhe ajo që mbetet është kokainë e pastër në sasinë që është hedhur në shishe para trafikimit", thanë burimet nga policia. Sipas tyre, çifti i helmuar në janar 2008 në Golem dyshohet se, aksidentalisht ka blerë një nga shishet e tilla dhe për pasojë ka gjetur vdekjen nga përqendrimi i lartë i kokainës në tretësirën e pijes së njohur franceze që konsumuan gjatë drekës fatale.

“Çifti i helmuar në Golem vdiq nga kokaina në verë”

TIRANE - Tomi Rrumbullaku 54 vjeç, dhe mikesha e tij 44-vjeçare Djana Xibraku humbën jetën të shtunën e 12 janarit 2008, teksa po drekonin në një lokal në Golem të Kavajës. Rreth orës 11:00 të asaj dite, Tomi Rrumbullaku me mikeshën e tij kanë hyrë në lokal duke mbajtur me vete një shishe verë të markës së preferuar prej tyre, të cilën besohet se e kishin blerë në Tiranë. Dy viktimat porositën peshk dhe sallatë dhe fillimisht kanë konsumuar nga një birrë. Më pas, ata kanë hapur verën e preferuar, një markë franceze, që Tomi Rrumbullaku e kishte blerë në Tiranë dhe kanë shijuar pijen e shtrenjtë. Vetëm pak minuta pas kësaj, e para që ka humbur ndjenjat kur ende nuk kishte konsumuar gotën e parë te verës, ka qenë Djana Xibraku. Në momentet e fundit të jetës shishen gjysmë të mbushur të verës Tomi Rrumbullaku e ka hedhur në koshin e plehrave, siç dyshohet për ta fshehur. Efekti vdekjeprurës i lëndës narkotike ka qenë i menjëhershëm, duke nxjerrë shkumë nga goja të dy miqtë janë rrëzuar mbi tavolinë, ndërsa transporti i tyre drejt spitalit ka qenë thuajse i kotë, pasi ata vdiqën para se të mbërrinin në urgjencën e Durrësit. Policia dërgoi për ekspertizë peshkun, sallatat dhe gjithë pijet e konsumuara prej viktimave në të cilat nuk u gjet asgjë e dyshimtë veç kokainës në verë. E konsumuar në verë, sipas mjekëve kokaina ka efekt vdekjeprurës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›