E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kreu i komunës vodhi pronat me emrin e babait”

Alfred Sula, kryekomunari i Kasharit, i burgosur për abuzimin me pronat e bashkëfshatarëve të vet, e ka nisur aktivitetin me falsifikimin e 6300 metra katrorëve për llogari të babait të vet. 

Ky është edhe episodi i parë, nga 23 gjithsej, për të cilët do të përgjigjen 10 të pandehurit e këtij procesi. Ndërkohë, më tej Sula është akuzuar edhe për falsifikime për llogari të dajës së vet, të cilit i ka bërë dhuratë plot 18.6 dynymë tokë, në sipërfaqet më të lakmuara të këtij fshati. Vetëm pak javë më parë Këshilli i Ministrave vendosi të shkarkonte nga detyra Sulën, pasi dosja në ngarkim të tij dhe 9 të bashkëpandehurve me të mbërriti në gjykatë. Tashmë është zhvilluar vetëm një seancë në ngarkim së të akuzuarve, ku gjatë kërkesave paraprake, ish-kryekomunari i Kasharit Faik Fejza kërkoi gjykim të shkurtuar, duke pretenduar se nuk ekzistonin prova në ngarkim të tij dhe se për ekonomi gjyqësore, çështja mund të zgjidhej në gjendjen që janë aktet. Më poshtë po botojmë të plotë episodin e parë të akuzës, ku ish-kreyekomunari Sula ka falsifikuar dokumentacionin e sipërfaqes 6300 metër katrorë për llogari së të atit.
Praktika e shtetasit Jakup Sula, numër akti 713, parcelat numër 25 dhe 112/1, sipërfaqja 6300 metër katrorë.
Dokumentet përbërëse të kësaj praktike janë tërësisht të falsifikuar. Ato janë prodhuar rishtazi, në mospërputhje flagrante me të dhënat e formularit numër 6, për këtë person. Kështu, Jakup Sula rezulton të jetë pajisur me tokën që i takon sipas normës për frymë, konkretisht 20.050 metër katrorë. Veç kësaj sipërfaqe nga të pandehurit Alfred Sula, Shefqet Alikaj dhe Faik Fejzo, është prodhuar në emër të Jakup Sulës, edhe praktika me numër akti të marrjes së tokës në pronësi 713. Ky numër nuk përputhet me numrin real të formularit numër 6, në të cilin rezulton të jetë regjistruar shtetasi Jakup Sula. Gjithashtu, edhe parcelat numër 25 dhe 112/1, nuk përputhen me numrat e parcelave, me të cilat është pajisur me tokë shtetasi Jakup Sula. Sipërfaqja prej 6300 metër katrorë tokë i është dhënë shtetasit Jakup Sula në mënyrë të paligjshme, mbi sipërfaqen që i është ndarë këtij personi sipas ligjit. Dokumentet përbërës të praktikës së shtetasit Jakup janë prodhuar në bashkëpunim mes shtetasve Alfred Sula, Shefqet Alikaj dhe Faik Fejzo. Këta persona, kanë vepruar duke u paraqitur në mënyrë të rreme, si anëtarë të komisionit legjitim të ndarjes së tokës, ndërkohë që komisioni i ligjshëm i fshatit Kashar, e kishte pajisur shtetasin Jakup Sula me tokën që i takonte dhe dokumentet përkatëse të saj. Në kohën e ndarjes së tokës së kooperativës për këtë fshat. Veprimet e mësipërme janë kryer me dashje direkt nga të akuzuarit, pasi këta persona kanë pasur dijeni të plotë mbi faktin që shtetasi Jakup Sula, ka qenë i pajisur me tokën që i takonte sipas normës për frymë, e pavarësisht nga ky fakt, kanë prodhuar dokumente të tjera pronësie, me qëllim pajisjen e tij me një sipërfaqe toke që nuk i takon. Dijenia e shtetasve të mësipërm për këtë fakt provohet plotësisht nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave të përgjuara, deklarimet e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, të personave nën hetim dhe pyetjet e të pandehurve. Kështu rezulton se shtetasit e mësipërm kanë pasur dijeni të plotë mbi procesin e ndarjes së tokës për banorët e Komunës Kashar. Ata kanë qenë tërësisht të përqendruar në këtë proces dhe në vazhdimësi, kryenin veprime të ndryshme me qëllim ndarjen e tokës, administrimin apo shitblerjet e tokës, regjistrimin e praktikave në ZVRPP në Tirnaë. Veprimet mbi tokën përbënin objektin kryesor dhe paraqitnin përparësi në të gjithë veprimtarinë e këtyre subjekteve. Çdo ndarje apo tjetërsim i kësaj lloj pasurie, përbënte objekt kontrolli dhe vlerësimi të imtësishëm për personat e akuzuar.
Një fakti i tillë rezulton edhe nga dokumentet që u janë sekuestruar të pandehurve të mësipërm, ku pasqyrohet veprimtaria e këtyre personave në lidhje me procesin e ndarjes së tokës, dijenia e tyre mbi pronësinë dhe pronarët e tokës, veprimtaritë e shumta të lidhura me shitblerjet e tokës etj. Për më shumë, në rastin e shtatit Jakup Sulaj, duhet theksuar se ky person është babai i të pandehurit Alfred Sula. Në këto kushte, i pandehuri Sula ka pasur dijeni të plotë në lidhje me tokën, që i takonte ligjërisht shtetasit Jakup Sula e pavarësisht nga ky fakt, ka bashkëpunuar me dy të pandehurit Faik Fejzo dhe Shefqet Alikaj, duke prodhuar në mënyrë tërësisht të falsifikuar dokumentet mbi praktikën e pronësisë së lartpërmendur. Nga deklarimet e personave nën hetim dhe atyre që kanë dijeni për rrethanat e hetimit rezulton tërësisht e provuar se shtetasit Alfred Sula e Faik Fejzo gjatë kohës që kanë ushtruar detyrën e kryetarit të Komunës Kashar, apo kryetarit të fshatit Kashar, u kanë imponuar nëpunësve të tjerë të komunës Shefqet Alikaj, Bardhyl Kamberi, Petrit Loçka, Islam Shera dhe Timoleo Xhori, duke i detyruar këta persona që kundër vullnetit të tyre, të plotësonin dokumente pronësie të falsifikuara në emër të personave të ndryshëm. Me këto veprime dhe nga qëndrimet e mbajtura nga të pandehurit Alfred Sula e Faik Fejzo gjatë ushtrimit të detyrave shtetërore, këta persona kanë luajtur rolin kryesor në përpilimin e dokumenteve të falsifikuara, jo vetëm në emër të shtetasit Jakup Sula, por edhe të personave të tjerë që do të trajtohen në vijim.                      re.kro

Episodi i dytë

Në numrin e nesërm gazeta do të publikojmë episodin e dytë nga aktakuza ndaj 10 të pandehurve për abuzimet me pronat në Kashar, praktikën e të pandehurit Xhevair Hyka, i cili ka përfituar një sipërfaqe prej 952 metër katrorë. Duke falsifikuar të gjithë dokumentet e kësaj sipërfaqeje, Hyka është bërë pronar i saj, edhe pse në vitin 1992 ka përfituar sipas ligjit 7501 sipërfaqen që i takonte sipas frymëve të familjes së tij. Praktika e falsifikimit të kësaj sipërfaqeje tashmë është sekuestruar nga prokuroria dhe ndodhet në dosjen hetimore në ngarkim së të akuzuarve. Sipas Prokurorisë, dokumentacioni i kësaj sipërfaqeje është falsifikuar për llogari të Hykës nga Alfred Sula, Shefqet Alikaj dhe Faik Fejza.

Xhevahir Hyka
Xhevair Hyka, i cili është daja i kryetarit të burgosur të komunës Kashar, Alfred Sula, ka përfituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të pronave në këtë fshat plot 18.692 metër katrorë tokë. Në katër episode, nëpërmjet të pandehurve Alfred Sula, Faik Fejza, Shefqet Alikaj dhe Bardhyl Kamberi ai është bërë pronar i sipërfaqeve, që nuk i përkisnin atij, por bashkëfshatarëve. Dokumentacioni që u përket këtyre pronave tashmë është sekuestruar nga Prokuroria dhe i është bashkëngjitur dosjes hetimore. Tashmë edhe vetë Hyka ndodhet në qeli së bashku me nipin Sula dhe ish-vartësit apo paraardhësit e tij në postet e pushtetit lokal
të fshatit dhe Komunës Kashar.

Shkarkimi i Sulës

Pak javë më parë Këshilli i Ministrave shkarkoi nga detyra Alfred Sulën, kryetar i Komunës Kashar, pas konstatimit të shkeljeve të rënda, që ky kishte bërë me detyrën. Ndërkohë, në të njëjtën kohë Prokuroria e kryeqytetit dërgoi për gjykim dosjen penale në ngarkim të tij, i cili akuzohet të ketë konsumuar plot 13 akuza, që kanë të bëjnë me abuzimin me pronat e bashkëfshatarëve.

Dosja "Kashari"

Dhjetë të pandehurit e dosjes "Kashari" akuzohen të kenë konsumuar 23 akuza në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të gjitha kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronave të bashkëfshatarëve të tyre. Duke falsifikuar praktikat e ndarjes së tokës në këtë fshat, tre ish-komunarët e Kasharit, iu kaluan sipërfaqe të konsiderueshme tokash dhe në zonat më të lakmuara të afërmve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›