E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati në shtëpi, Elton Deliu i njihte vrasësit

Nga Klodiana Lala
"Ekzekutimi i Flutura Deliut nuk ka qenë i planifikuar. Por dyshojmë se ajo ka njohur vrasësit e të birit, të cilët nuk kanë dashur të ketë dëshmitarë okularë", - tha një burim nga policia 

TIRANE-Flutura Deliu u ekzekutua se njohu vrasësit e të birit Elton Deliu. Të paktën në këtë konkluzion ka arritur policia, e cila po heton për vrasjen e dyfishtë në zonën më të populluar të Tiranës, pikërisht pas Presidencës. "Ekzekutimi i Flutura Deliut nuk ka qenë i planifikuar. Por dyshojmë se ajo ka njohur vrasësit e të birit, të cilët nuk kanë dashur të ketë dëshmitarë okularë, aq më tepër nënën e objektit të tyre; për këtë arsye e kanë qëlluar për vdekje me një plumb në kokë, si dhe dy të tjerë në trup", - tha një burim nga policia. Skedimi i Elton Deliut si një prej eksponentëve më aktivë në trafikun e drogave të rënda në Tiranë dhe më gjerë, ka detyruar policinë të kthejë sytë nga ish-miqtë e tij, me të cilët u përplas ashpër për shkak të konflikteve të lindura për pazaret. Miqtë, të njohurit si dhe personat me të cilët bënte "biznes" Deliu, do të vihen në "sitën" e policisë. Një tjetër pistë në të cilën po hetohet për të hedhur dritë mbi vrasjen e dyfishtë, janë dhe konfliktet e disa pronave që Deliu kishte në zonën e Yrshekut.
Mekanizmi
Pa kaluar as 24 orë nga krimi që tronditi kryeqytetin, policia ka ngritur pistat kryesore me qëllim që të bëjë të mundur identifikimin dhe prangosjen e autorëve. Brenda një kohe të shkurtër grupi hetimor ka mundur të ndërtojë mekanizmin e ngjarjes së rëndë që ndodhi pasditen e së shtunës, në një pallat shumëkatësh në rrugën "Perlat Rexhepi", pas Presidencës. Sipas policisë, Elton Deliu ndodhej në shtëpi së bashku me të ëmën Fluturën, kur rreth orës 15:00 dikush ka trokitur në derë. 32-vjeçari, i cili u kishte shpëtuar për mrekulli dy atentateve të bujshme, është ngritur për të pritur "miqtë" që i kishin mësyrë në derë. Fakti që ai ka hapur derën në një kohë kur ruhej nga armiqtë dhe kundërshtarët me të cilët ishte përplasur për prishjet e pazareve në trafikun e narkotikëve, sipas policisë bën të dyshohet se i ka njohur personat dhe nuk e priste vdekjen prej tyre. Por papritur, vrasësit që mendohet se kanë qenë dy, e kanë qëlluar 11 herë, ku gjashtë plumba e kanë zënë në kokë dhe pesë në trup. Në momentet që 32-vjeçari Deliu ka klithur për ndihmë, e ëma e tij Flutura e cila gjendej në një nga dhomat e shtëpisë, ka dalë për të parë ç'bëhet. Duke u shndërruar në dëshmitaren okulare të ngjarjes, vrasësit e kanë ekzekutuar. Policia deklaron se kurrsesi ajo nuk ka qenë e shënjestruar.
E kaluara
Fakti që Elton Deliu njihej si një ndër eksponentët kryesorë në rrjetin e trafikut të narkotikëve, duket se ka ngushtuar për grupin e hetimit rrethin e personave të dyshuar. "Kemi dyshime që Eltoni i njihte personat që e ekzekutuan, pasi vetë u ka hapur derën", - tha një burim nga policia, duke saktësuar se po hetohet për ish-bashkëpunëtorët e tij në trafikun e drogave të rënda, me të cilët më pas ishte konfliktuar dhe përplasur. Për të hedhur dritë mbi krimin e dyfishtë, policia ka shoqëruar vetëm dje 25 persona, por pa ndaluar ndonjë si të dyshuar për ngjarjen e rëndë. Elton Deliu 32 vjeç, dhe nëna e tij, Flutura Deliu 52 vjeç, u ekzekutuan në apartamentin e tyre që ndodhet në rrugën "Perlat Rexhepi", me pistoletë me silenciator. Fakti që vrasësit nuk kanë lënë asnjë gjurmë, të lë të kuptosh se bëhet fjalë për profesionistë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›