"Atentati për 50 mijë euro borxh"
Tentoi të vriste emigrantin në SHBA, dërgohet dosja për gjykim. Organi i akuzës së kryeqytetit pohoi dje, se ka përfunduar hetimet në ngarkim të së riut Igli Leka, 23-vjeç, ish-emigrant të SHBA, i cili dyshohet të jetë autori i tentativës së vrasjes ndaj shokut të vet në emigrim. Sipas prokurorisë, e cila ka ngritur akuzat "vrasje me dashje mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje" ndaj të riut, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 24 shkurtit të këtij viti, ndërsa motivi i krimit mendohet të jetë një borxh i vjetër prej rreth 50 mijë USD, që viktima i detyrohej të akuzuarit. Sipas prokurorisë, emigranti 30-vjeçar Edison Pulaha kishte vetëm 10 ditë që ishte kthyer në Tiranë, pasi jetonte në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokuroria pohon se shoku i vet i emigracionit, Igli Leka, i cili ishte kthyer më parë në Tiranë i ka telefonuar viktimës dhe kanë vendosur të takohen rreth orës 21:00 të mbrëmjes në afërsi të karburantit "Kastrati", në zonën e Tiranës së Re. Pulaha banonte në zonën e Kërrabës dhe ka mbërritur me një mjet në vendin caktuar, ku është takuar me Lekën. Dy emigrantët Edison Pulaha dhe Igli Leka, sapo janë takuar kanë nisur të diskutojnë për borxhin 50 mijë USD, që 30-vjeçari Pulaha i detyrohej shokut që në SHBA. Të rinjtë kanë debatuar për borxhin dhe në grindje e sipër, Leka e ka qëlluar në drejtim të këmbëve Pulahën me pistoletë. Plumbat e kanë plagosur këtë të fundit, ndërsa Leka është larguar nga vendi i ngjarjes për të shmangur arrestimin. Shërbimet e Komisariatit numër 2 të Policisë së Tiranës, të cilët kanë juridiksionin e vendit të ngjarjes, të mbërritura aty pas sinjalizimit kanë dërguar për ndihmë mjekësore në spital të plagosurin, i cili ka treguar edhe versionin e tij për ngjarjen, në bazë të së cilit ka nisur edhe hetimi prej oficerëve të policisë gjyqësore. Pas hetimeve të mëvonshme, prokuroria ka saktësuar se shkaku i grindjes që parapriu plagosjen me pistoletë ishte borxhi prej 50 mijë dollarësh. Mendohet se Leka ka qëlluar për ta plagosur, si formë kërcënimi për kthimin e shumës së majme që i detyrohej. Gjithsesi, vetëgjyqësia për borxhin nuk ia ka justifikuar krimin Lekës, i cili është shpallur në kërkim me akuzat e "vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë" dhe "armëmbajtje pa leje". Nën këto akuza ai do të gjykohet në mungesë, ndërsa pritet që familjarët t'i gjejnë një avokat.
Arratia e të dyshuarit pas atentatit
Pas plagosjes së shokut të emigrimit, 23-vjeçari Igli Leka u shpall në kërkim dhe ende nuk është bërë e mundur arrestimi i tij. Pas ngjarjes policia ka kontrolluar disa herë zonën e "Don Boskos" ku banon ai, por ka qenë e pamundur të gjenden "gjurmë" ë tij. Po kështu policia ka dështuar edhe në negocimin për vetëdorëzimin e tij. Sipas akuzës së ngritur në mungesë ai rrezikon maksimalisht 10 vjet burg.