Piktura në ankand për përvjetorin e Nënë Terezës
Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza, del në ankand. Janë vepra arti, piktura e skulptura, që nisin me çmimet më të ulëta nga 450 euro deri në 1200 euro. Janë vepra të realizuara nga artistët e njohur si Skënder Kamberi, Artan Shabani, Anastas Kostandini, Orion Shima, Adnan Kastrati apo Arben Bajo e Idlir Koka. Të shtunën në mbrëmje, në vigjilje të pesë vjetorit të lumturimit të saj, në hotel “Sheraton” organizohet performanca artistike “Nënë Tereza– Shenja shenjtërie”, aktivitet që mbështetet nga zonja e parë, Teuta Topi. Gjatë kësaj mbrëmje është menduar, që të ketë edhe ndërthurje të performancës artistike të modës, duke stiluar veshjet me tri ngjyrat karakteristike të Nënë Terezës, me artin e poezisë dhe në fund organizohet edhe ankandi i pikturave, përfitimet e të cilit do të shkojnë për bamirësi. Një iniciativë kjo e stilistes Merita Toçila. Nga organizatorët e këtij aktiviteti mësohet se do të ketë një performancë të veshjes së Nënë Terezës, por këto të parë me një sy artistik. Do luhet me motivet që ka gjetur ajo në veshje, tre vijat blu që përkufizojnë pëlhurën e bardhë që mbështjell trupin, si në kohën kur njerëzit e njihnin dhe nuk e njihnin artin e prerjes. Kjo performancë e artit të kostumit do lidhet me artet e tjera, si është poezia të interpretuara nga dy aktorë që do të shoqërohen nga një baze muzikore. Veshjet e krijuara enkas për këtë ngjarje të hidhen në ankand dhe të ardhurat që do përfitohen të shkojnë në ndihmë të asaj kategorie për të cilët ajo punoi dhe sakrifikoi deri në fund të jetës së saj. Më 19 tetor, mbushen plot pesë vjet nga dita e lumturimit të shenjtores shqiptare Nënë Tereza.