SHBA, debati i fundit, Obama fiton kundër Mekein
Rivalët për presidencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përballën në debatin e tretë dhe të fundit televiziv përpara zgjedhjeve të 4 nëntorit, ku sondazhet i dhanë përparësi edhe një herë tjetër demokratit Barak Obama. Debati u krye në qytezën universitare, Hofstra University në Long Island, Nju Jork. 72-vjeçari, Xhon Mekein arriti të fitojë 39 për qind të simpatisë së publikut pas debatit, ndërsa demokrati 47-vjeçar, Barak Obama triumfoi edhe një herë me një mbështetje prej 53 për qind të atyre që ndoqën debatin. Sondazhet u kryen menjëherë pas debatit nga rrjetet kryesore televizive. Sipas të anketuarve, republikani Mekein nuk mundi të largohej nga fushata negative, sipas opinionit të 60 për qind të amerikanëve, kundrejt 30 për qind që shprehën pikëpamje negativit për Obamën. Ndërsa Mekein e fokusoi debatin e tij kësaj radhe në sulm kundër rivalit, Obama disa herë u vu në pozicion mbrojtës, sidomos kur u diskutua mbi lidhjet e Obamës me një person, që në rininë e tij ishte pjesëtar i një grupi anarkist, apo lidhjet me një organizatë, që akuzohet për mashtrim në regjistrimin e votuesve. Obama tha se fushata e kundërshtarit të tij ishte negative dhe e mbarsur me sulme personale dhe shprehu dëshirën për të diskutuar mbi çështjet e rëndësishme të vendit. Debati i fundit përsëri u përqendrua tek gjendja e dobët ekonomike e SHBA, për të cilën të dy kandidatët paraqitën planet e tyre të reja. Mekein ka propozuar 52 miliardë dollarë shtesë në ulje taksash për të ndihmuar pensionistët, depozitat e të cilëve janë goditur nga kriza e kredive, ndërsa Obama propozoi një paketë shtesë shpenzimesh prej 60 miliardë dollarësh për të ndihmuar shtetet amerikane, të papunët dhe kompanitë për të krijuar vende të reja pune. Debati pati një shikueshmëri të vlerësuar me rreth 60 milionë telespektatorë. Ai konsiderohej si shansi i fundit i Mekeinit për të bindur amerikanët se ai meriton të jetë presidenti i ardhshëm. Senatori Obama u përpoq ta lidhte senatorin Mekein me “politikat e dështuara ekonomike të presidentit Bush”, dhe tha se marrja e kontrollit nga një demokrat do të bënte ndryshimin dhe do të zgjidhte problemet ekonomike. Përveç ekonomisë ata u përplasën edhe për çështjen e shërbimit shëndetësor, arsimin, abortin, etj. Shumica e analistëve në SHBA mendojnë se rruga e Mekein drejt Shtëpisë së Bardhë është shumë e përpjetë dhe e vështirë.