Serbi, presidenti Tadiç pranon EULEX-in, reagon ashpër Koshtunica
Ndërsa ka pranuar kërkesën e Bashkimit Evropian, që Serbia ta njohë dhe të bashkëpunojë me misionin e bllokut në Kosovë, EULEX, pasi kjo nuk ka të bëjë me njohjen e Kosovës, presidenti Tadiç e ka futur veten në debate të reja me ish-kryeministrin Koshtunica. Boris Tadiç tha dje se: “Për Serbinë EUELX-i është i pranueshëm me tri kushte: që në Kosovë të jetë me një vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB, që të jetë neutral sa i përket statusit dhe që të mos zbatohet plani i Ahtisarit”. Sipas Tadiçit, as deputetët evropianë nuk kanë pasur asnjë vërejtje për kërkesën e Beogradit, që EULEX të jetë neutral sa i përket statusit, që të jetë nën kujdesin e Këshillit të Sigurimit dhe që të mos zbatohet plani i Ahtisarit. Në një intervistë për gazetën “Veçernje novosti”, Tadiç ka thënë se nuk ka asgjë kundër që SHBA-të të marrin pjesë në misionin EULEX, por as kundër pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Rusisë. Por deklarata e tij ka sjellë reagimin radikal të ish-kryeministrit Koshtunica, i cili e konsideroi “thikë pas shpine” pranimin e këtij misioni nga Serbia. “Me pranimin e EULEX-it, qeveria e Serbisë i ngul thikën në shpinë shtetit të vet, çështjes së Kosovës dhe luftës së deritanishme për mbrojtjen e interesit shtetëror dhe kombëtar”, tha Koshtunica duke shtuar se “Regjimi në Beograd po bën atë që bëri regjimi në Podgoricë. Demagogjia, se na qenka një EULEX, që nuk është i Ahtisarit dhe që nuk e zbaton planin për pavarësinë e Kosovës është e mjerë”, tha Koshtunica, duke aluduar në deklaratat e presidentit serb Tadiç për shtypin e sotëm. Ai ka thënë se demagogji tjetër është se së pari duhet, që KS i OKB-së dhe Rusia ta pranojnë EULEX-in e më pas Serbia. “Këshilli i Sigurimit dhe Rusia do ta pranojnë EULEX-in vetëm nëse për këtë pajtohet Serbia”, ka thënë Koshtunica. Edhe ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Konuzin, tha se: “Rusia nuk është e kënaqur me atë që po ndodhë në Kosovë, pasi e konsideron ilegale praninë e EULEX-it në Kosovë”.