LAME SHKURT
Gjukanoviç: Nuk do ta anulojmë njohjen e Kosovës
Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç ka deklaruar në Parlamentin e vendit të tij se, qeveria e Malit të Zi nuk do ta anulojë vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. “Qeveria nuk ka vendosur me nxitim dhe pamenduar mirë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, prandaj nuk do ta anulojë. Jemi të bindur se ky vendim është në interesin më të mirë të Malit të Zi dhe jemi të sigurt se këtë do ta vërtetojë edhe koha, e cila është para nesh”, tha Gjukanoviç duke iu përgjigjur pyetjeve të shefave të grupeve parlamentare në Kuvendin malazez.
Presidenti dhe kryeministri polak, sherr për avionin
Dy politikanët më të lartë polakë kanë hyrë në sherr, pasi duhej të vendosnin se cili prej tyre do të fluturonte në samitin e Brukselit me avionin e shtetit. Kryeministri Donald Tusk, i cili nuk është ndonjë dashamirës i presidentit Leh Kazinski, fitoi raundin e parë duke rezervuar për rrugë avionin e vetëm të shtetit. Por ai refuzoi ta dërgojë prapa në Varshavë avionin, ku po priste të udhëtonte presidenti. Kazinskit iu desh të huazonte një avion tjetër. Sipas “The Times”, kur presidenti i tërbuar polak më në fund mbërriti në samit, e kuptoi se nuk ka ku të ulet. Në kolltukët për liderët polakë ishin ulur kryeministri Tusk dhe ministri i Financave. Meqë për pak desh nisi rrahja, ministri ia lëshoi vendin presidentit, duke thënë se të gjithë ata janë xhentëlmenë dhe se nuk do të lejojnë që të kërcasin grushtet.
Rriten çmimet, një miliard njerëz në uri
Ngritja e çmimit të ushqimit ka lënë pothuajse një miliard njerëz në uri, sipas një raporti të grupit humanitar “Oxfam”, bërë enkas për Ditën Botërore të Ushqimit. Grupi me seli në Britani tha se: “ngritja e madhe e çmimeve të ushqimit i ka shtyrë rreth 120 milionë njerëz drejt urisë”. Sipas shefes së “Oxfam”-it, Barbara Stoking, është “shokuese” se si institucionet më të mëdha botërore kanë dështuar të merren me këtë problem, ndryshe nga siç po bëjnë me reagimin ndaj krizës globale financiare.
Irak, vritet lideri numri dy i Al Kaidës
Ushtria amerikane bëri të ditur se numri dy i Al Kaidës në Irakun Verior është vrarë në fillim të këtij muaji. Në një deklaratë, ushtria tha se marokeni Abu Qasvarah, i njohur edhe si Abu Sara, ka mbetur i vrarë në një ndërtesë në Mosul më 5 tetor. Komandantët amerikanë e shohin Mosulin, që është qyteti i tretë për nga madhësia në Irak, si strehën e fundit urbane të Al Kaidës në Irak. Ushtria tha se vdekja e tij “do të shkaktojë përçarje të madhe”, në rrjetin terrorist.