E Shtunë, 31 Tetor 2026

“S’ndryshojnë gjyqtarët e Bandës së Lushnjës”

 

TIRANE - Anëtarët e "Bandës së Lushnjës" do të vijojnë të gjykohen në Gjykatë për Krimet e Rënda nga e njëjta pesëshe gjykuese. Kërkesa e njërit prej avokatëve në seancën e javës së kaluar për ndryshimin e trupës gjykuese është hedhur poshtë dje nga kjo gjykatë. Pas shqyrtimeve të kryera ka rezultuar se kërkesa e bërë nga njëri prej përfaqësuesve ligjorë të së akuzuarve është e pabazuar në ligj dhe si e tillë, ajo nuk është pranuar nga gjykata. Për rrjedhojë, në seancën e radhës në ngarkim të kësaj bande, e cila do të zhvillohet sot në orën 09:30 trupi gjykues do të jetë i pandryshuar. Seanca e javës së kaluar për 11 të akuzuarit e "Bandës së Lushnje" u karakterizua nga debate të ashpra mes avokatëve dhe trupës së gjykimit. Shkak u bë pranimi nga ana e gjykatës e leximit të deklaratave të dhëna në ambasadën shqiptare në Athinë të Lorenc, Alfred e Emiliano Dajës, Servete Haxhiut dhe Gramoz Selmanit. Kjo, pasi ata figurojnë aktualisht rezidentë në shtetin fqinj dhe se gjykata nuk zotëron adresat e tyre. Sipas palës mbrojtëse, këto deklarime nuk mund të paraqiten si prova prej prokurorisë, pasi njëri prej tyre, Gramoz Selmani, është person në kërkim nga policia dhe Interpoli për akuzën e vrasjes. Duke e cilësuar trupin gjykues si të njëanshëm në gjykim, avokatët kërkuan ndryshimin e tij, kërkesë që u hodh poshtë ditën e djeshme.                                                            ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›