E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: Kurset private në universitete, të papranueshme

 

Verifikim pretendimeve të studentëve për kurse privatë nga pedagogët e ekonomikut. Ky është premtimi që ata kanë marrë pas takimit me rektorin e Universitetit të Tiranës Dhori Kule. “Kurset private në këmbim të notave kaluese, janë të papranueshme dhe abuzive. Ne do të përpiqemi, që të marrim në rrugë institucionale të gjithë informacionin e nevojshëm për këtë problem”, ka deklaruar rektori i UT. Studentët insistojnë se ndonëse kjo praktikë nuk përdoret nga të gjithë pedagogët, disa prej tyre i kanë detyruar të ndjekin këto kurse.  “Janë qindra studentë që janë detyruar të futen në kurse private, që reklamohen në mjediset e fakultetit. Kjo tregon se sistemi publik po ushqen bizneset private nëpërmjet dështimit të tij. Gjithashtu, dëshmohet qartë që sistemi arsimor publik nuk ofron as detyrimin minimal të cilësisë mësimore”, u shprehën përfaqësuesit e studentëve. Nga sa bëjnë me dije vetë ata, zyrtarisht në rektorat është depozituar edhe kërkesa për heqjen përfundimtare të stazhit në këtë fakultet. Kjo duke u dhënë mundësinë, që të shlyejnë provimet e bartura gjatë vitit pasardhës akademik. “Deri sa t’i jepet zgjidhje këtij problemi madhor ne nuk do të futemi në auditorë. Rrezikojmë të humbin vitin shumë prej nesh, ndaj kemi vendosur t’i shkojmë deri në fund kësaj çështje”, sqarojnë studentët. Pas peticionit me rreth 1300 firma dhe pas dy protestave përpara fakultetit dhe rektoratit ata kanë lënë disa ditë afat për të marrë një përgjigje, në të kundërt protesta do të përshkallëzohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›