Canino në TOB për koncertin e anuluar nga “Gërdeci”
ANILA MEMA
Plot shtatë muaj më vonë rikthehet në Shqipëri. Kur “gërdeci” ndodhi në Shqipëri, maestro Bruno Canino, pianisti i njohur italian, sapo zbriti në aeroportin e Rinasit. Ishte e shtunë. Në mbrëmje do të jepte koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Por s’kishte kuptim, në atë ditë të zhurmshme e tmershme për shqiptarët. Kështu, koncerti u anulua. Maestro u nis, por duke lënë një datë të saktë kalendarike, për rikthimin e tij, sërish në skenën shqiptare. E dje, ndryshe nga shtatë muaj më parë, është ngjitur në skenën e TKOB, për herë të parë, për të dhënë një koncert në piano, por më të përpunuar dhe me një program më të ngjeshur, se ai i ditës së “gërdecit”. “Pianisti është një nga artistët më të rëndësishëm në Itali, i njohur botërisht me një karrierë të gjatë artistike të zhvilluar në të gjitha skenat më prestigjioze të botës”, është shprehur dje drejtori i TKOB, Zhani Ciko. Sipas tij, ky koncert është vetëm fillimi i një sërë koncertesh që do të jepen në këtë teatër, të titulluar seria e “Koncerteve të arta”, të realizuara në bashkëpunim Institutin italian të Kulturës. Pianisti Bruno Canino, është shprehur dje paradite gjatë konferencës për shtyp, se interpretimin e tij në Shqipëri e pret me shumë dëshirë, duke përfshirë këtu edhe kohën, që kur ishte projektuar të jepej si koncert shtatë muaj më parë. “Në Itali ka shumë violinistë shqiptarë dhe ky ka qenë edhe kontakti im me vendin tuaj dhe e di që ka një shkollë të mirë për instrumentet e artin. Unë nuk njoh muzikë shqiptare, por shpresoj ta njoh atë, ndaj edhe koncertin tim që do të jap sonte (dje) kam përzgjedhur për të interpretuar pjesë të ndryshme”, shprehet Canino. Për 24 vite ka dhënë mësime pianoje në Milano dhe 11 vite të tjera në Berna. Tani është po mësimdhënës në Madrid. Por karriera e tij është e suksesshme, pasi në kurrikulën e koncerteve shënohen edhe shumë bashkëpunime të frytshme me artistë të njohur si Pierre Boulez, Lucian Berio, Bruno Madrina, Luigi Nono etj. Ndërsa për koncertin e djeshëm Canino kishte përzgjedhur një program të ngjeshur me muzikë të Clementit, Rosinit, Copland, Coera dhe Gershwin. “Më pëlqen të dëgjoj pjesë, të cilat nuk i njoh dhe shpresoj që edhe publikut t’i ndodhë kështu. Ndaj zgjedhja që kam bërë për këtë program, duke qenë se përfaqësoj Italinë, sigurisht që ka edhe pjesë prej kompozitorëve italianë. Unë e interpretoj shpesh muzikën amerikane, Gershwin dhe kjo jep një panoramë të re të muzikës, më shumë akoma historisë së muzikës amerikane. Kam zgjedhur katër autorë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri”, shton ai. Nuk mungon as Rossini, nga i cili ka zgjedhur një pjesë, që flet për historinë e një udhëtimi. “Rossini e shkroi këtë pjesë kur bëri një udhëtim me tren, gjatë të cilit u trondit shumë, ai nuk udhëtoi më me tren dhe atëherë është historia e një katastrofe të vogël. Ka disa fjalë që unë ndoshta edhe do t’i them në gjuhën italiane ose franceze”, shprehet ai gjatë konferencës, duke dashur të bëj kështu një paralelizëm. Por pjesën që interpretoj dje në mbrëmje ne skenën shqiptare janë të periudhës kur Rossini krijoi në Francë.
Në Bienalen e Venecias
Maestro Bruno Canino, njihet gjithashtu si drejtori i Sesionit të Muzikës në Bienalen e Venecias, ndonëse nuk punon më si i tillë. “Unë kam qenë drejtor i Bienales së Venecias, në seksionin e muzikës. Por mendoj se nuk ishte një zanat shumë i përshtatshëm për mua, kishte shumë stres dhe jam i lumtur që ka marrë fund. U mundova të bëja zgjidhjet e duhura pa kompromise. Por unë mendoj se një festival i muzikës bashkëkohore është disi i vjetër si ide, ndoshta do të ishte mirë që muzika e re të përzihej disi edhe me muzikën tradicionale”, tregon ai kur e pyet për këtë eksperiencë të tij.