E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati te “Don Bosko”

27/04/2005  Anëtarit të bandës së Lushnjës, i shtohet një tjetër akuzë

Leonard Prifti, organizator dhe bashkëpunëtor i Enver Rabiajt

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar procedimin penal ndaj Leonard Priftit, si person i dyshuar për organizimin dhe bashkëpunim në atentatin e dështuar te “Don Bosko”, ku mbeti i vdekur Enver Rabiaj. Ndërsa nuk ka fillim hetimi për këtë të fundit, që dyshohet të ketë qenë ekzekutuesi i atentatit, pasi humbi vetë jetën si pasojë e shpërthimit aksidental të eksplozivit. Nga hetimet e deritanishme të kryera nga Prokuroria, rezulton se natën e ngjarjes, në telefonin që iu gjet Rabiajt ka kryer thirrje dhe biseda telefonike Leonard Prifti. Gjithashtu rezulton se numri që iu gjet viktimës, të jetë poseiduar më parë nga vetë Leonard Prifti. Prokuroria i ka deleguar policisë veprime të reja hetimore për gjetjen e vendndodhjes dhe arrestimin e Priftit, i cili është në kërkim për vrasje dhe po gjykohet në mungesë.

Procedimi

Leonard Prifti është marrë person nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për veprën penale të organizimit dhe bashkëpunimit të atentatit të dështuar te “Don Bosko”, mëngjesin e 5 marsit. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol”, nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat sqaruan se procedimi ndaj tij për këtë ngjarje u zyrtarizua pas verifikimit të numrave celularë që kishin kryer biseda me atë që iu gjet Enver Rabiajt. Burimet thonë se natën e ngjarjes dhe ditët para saj, i vetmi numër që ka kryer thirrje me atë që iu gjet Rabiajt, është i Leonard Priftit. Numri i Priftit është gjetur i shënuar në telefonat celularë të tre lushnjarëve të arrestuar Ditën e Verës, për veprën penale të hetimit për zbardhjen e ngjarjes te “Don Bosko”. Burimet pohojnë se gjatë marrjes në pyetje, tre të rinjtë lushnjarë kanë pohuar se edhe numri që i është gjetur viktimës i përkiste Leonard Priftit. Nisur nga ky fakt, dyshohet se Prifti i ka dhënë Rabiajt numrin e tij celularë dhe së bashku tentuan të kryenin atentatin që dështoi. Gjithashtu, gjurmët e gjakut që vazhdonin nga vendi i ngjarjes deri në cep të pallatit, dyshohet të jenë lënë nga Leonard Prifti, që mendohet se ka shkuar të shohë çfarë i kishte ngjarë bashkëpunëtorit të tij pas shpërthimit dhe ku i janë lyer këpucët me gjak.

Hetimi

Hetimi i Prokurorisë është përqëndruar në identifikimin përfundimtar të objektivit të atentatit të dështuar te “Don Bosko”. Sipas burimeve, nga hetimet e deritanishme dyshohet se objekt i atentatit të Rabiajt ka qenë një sih-zyrtar policie. Ndërkaq janë rrëzuar dyshimet se Enver Rabiaj mund të kishte rënë në kurthin e ndonjë personi. Kjo për shkak se nga ekspertiza e vendit të ngjarjes është konkluduar që eksplozivi që i përket llojit C4, ka shpërthyer në duart e Rabiajt, në momentin kur ky i fundit ka qenë duke zbritur shkallët e katit të dytë të pallatit. Burimet thonë se numri i celularit që mendohet të ketë qenë i montuar në eksploziv ka qenë përdorur më parë nga Leonard Prifti. Dyshohet të ketë qenë një thirrje aksidentale, e kryer nga ndonjë i njohur i atentatorëve që ka aktivizuar aksidentalisht eksplozivin, sqarojnë burimet. Ato shtojnë se policisë i janë deleguar veprime hetimore për të gjetur vendndodhjen e Priftit. Burimet përfundojnë se nëpërmjet numrave të celularit janë lokalizuar vendndodhjet e tij para ngjarjes dhe se këto të dhëna i janë përcjellë policisë në ndihmë të kapjes së tij.

Enver Rabiaj u identifikua nga e ëma një muaj pas ngjarjes

Për afro një muaj, policia nuk arriti të identifikonte zyrtarisht Enver Rabiajn, një prej autorëve të dyshuar të atentatit të dështuar te “Don Bosko”. Kjo, pasi nuk pati asnjë denoncim për zhdukje personi, ku të dhënat e tij fizike të përkonin me ato të Enver Rabiajt. Ka qenë nëna e tij, Lute Rabiaj, e cila ka kërkuar që të shikojë trupin e shkrumbuar të viktimës. Burime të policisë thanë atëherë se e moshuara kishte dhënë paraprakisht shenja dalluese të të birit, të cilat ishin të njëjta me ato të viktimës. Kështu, ajo kishte përmendur dy shenja plumbi, një në këmbë e një në shpatull, që i kishin mbetur prej vitit 1997, kur ishte vrarë edhe djali tjetër, Bardhi Rabiaj. Ky i fundit ishte vrarë në të njëjtin moment që ishte vrarë edhe vëllai i Alfred Shkurtit, kur kanë qenë të katërt së bashku. Gjithashtu, fotoja që ajo ka paraqitur në polici ka pasur të dhëna të njëjta me fytyrën e viktimës, ndonëse kjo ishte dëmtuar pjesërisht. Burimet e policisë thanë atëherë se edhe nga gjendja emocionale që ajo kishte përjetuar në momentin që ishte përballur me kufomën e të birit, konfirmonte atë se e mushuara pohonte të vërtetën. Por, Prokuroria për të pasur një rezultat zyrtar dy të kryej krahasimin e ADN-së së saj me atë të viktimës.

Dyshimi, objekt i atentatit një ish-zyrtar policie

Nga hetimet e deritanishme të policisë dhe të prokurorisë, dyshohet se objekt i atentatit të dështuar te “Don Bosko”, mund të ketë qenë një ish-zyrtar policie, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye etike. Burime të orgqanit të akuzës, shprehen se fillimisht u dyshuar se objekt i atentatit mund të kishte qenë nëna e Klenti Banos, ish-inspektorit të krimeve të ekzekutuar nga banda e Lushnjës. Por nëna e të ndjerit kishte dëshmuar në gjykatë rreth një muaj para ngjarjes dhe nuk kishte më vlerë ekzekutimi i saj. Sipas policisë, dyshohet që atentatori të ketë ngatërruar hyrjen e pallatit. Kjo për shkak se ai ka qenë duke zbritur shkallët. Burimet sqarojnë se në atë zonë banon edhe një ish-zyrtar policie që në të kaluarën ka hetuar mbi bandën e Lushnjës. Ky dyshim u ngrit pasi Enver Rabiaj rezulton të ketë pasur lidhje të ngushta miqësore me persona të akuzuar si pjesëtarë të kësaj bande, pohojnë burimet. Ato përfundojnë se ende nuk është konkluduar zyrtarisht në këtë version dhe se po hetohen të gjitha pistat e mundshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›