E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekuestro një lokali të Besnik Brakës në Tiranë, u kap me 5 kg heroinë

27/04/2005  Policia e kryeqytetit ka filluar sekuestrimin e pasurive të kreut të bandës së trafikut ndërkombëtar të heroinës, të goditur disa ditë më parë, 40-vjeçarit Besnik Braka. Ndërkaq, ka filluar verifikimi i të gjitha pasurive të tjera të tij dhe të të arrestuarve si bashkëpunëtorë. Policia ka vendosur dje nën sekuestro paraprake një lokal bodrum në pronësi të Brakës në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën “Metropol”, nga burime të policisë kryeqytetase, të cilat pohuan se ka filluar ekzekutimi i urdhërit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për ngrirjen e çdo pasurie të këtij grupi të trafikut të drogës. Disa ditë më parë, policia e Tiranës gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 5 kilogramë heroinë të pastër. Si poseidues e trafikues të kësaj droge u arrestuan; Besnik Braka 40 vjeç, lindur e banues në Elbasan, Zamir Ferhati 41 vjeç nga Tirana, Zamira Gjongecaj 30 vjeçe nga Elbasani dhe Tajan Leçini 44 vjeç nga Tirana. Pas kapjes së heroinës, drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi, tha se droga vinte nga Turqia në Maqedoni, duke depërtuar në Elbasan e më pas në metropolin e Shqipërisë. Linja e trafikut ndërkomëtar të narkotikëve, sipas Dervishit, drejtohej nga Besnik Braka, të cilit i është gjetur një pistoletë amerikane, ndërsa tre të tjerët ndihmonin në organizimin e dërgimit të drogës në Itali, përmes Durrësit. Kreu i bluve të Tiranës tha atëherë se është kapur pluhur me ngjyrë dhe me erë të përafërt me ato të lëndës narkotike të llojit heroinë, sasi prej rreth 5 kg, peshore elektronike dhe mekanike, e cila shërbente për peshimin e lëndës narkotike. Gjithashtu policia bllokoi shtatë celularë, rula me letër ngjitëse, tullumbace, qese plastike të destinuara për paketimin e lëndës narkotike dhe një autoveturë tip “Benz Mercedez”, prodhim i vitit 2004, me targë TR.6868 J. Braka rezulton se ka qenë person i shpallur në kërkim, pasi dyshohet se organizoi trafikimin drejt Greqisë të rreth 500 mijë fishekëve dhe disa pushkëve G3. Kjo sasi municioni u kap më 28 qershor të vitit 2003 nga kontrollorët grekë të doganës së Kakavijës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›