E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: Nën kontroll qarkullimi i mjeteve në akset nacionale

15/02/2012  Ministri i Transportit, Sokol Olldashi, deklaroi dje nga qarku i Kukësit se, po punohet për të bërë të mundur mbajtjen hapur të akseve nacionale rrugore në veri të vendit, pasi për shkak të erërave të forta dhe orteqeve ndodh bllokimi i tyre. Gjatë inspektimit të punimeve për mbajtjen hapur të autostradës Durrës-Kukës, Olldashi u shpreh se janë mobilizuar mjete të rënda nga ushtria dhe kompani private jo vetëm për të mbajtur të hapura akset nacionale rrugore, por edhe për të bërë të mundur lidhjen e komunave me këto akse. "Sot për shkak edhe të ndalimit të reshjeve të dëborës situata në veri të vendit paraqitet më e mirë. Ndërkohë që gjithë mobilizimi, qoftë i kontraktorëve, kompanive të tjera që Drejtoria e përgjithshme e Rrugëve ka mobilizuar përkohësisht, apo mjeteve të ushtrisë është për hapjen e sa më shumë akseve rrugore", theksoi ministri i Transporteve. Olldashi u shpreh se situata është nën kontroll, ndërsa theksoi se ky është një dimër me reshje të jashtëzakonshme të borës, që llogariten më të mëdha se ato të vitit 1985. Në mënyrë që të mbahej e hapur rruga e Kombit, dy ditë më parë u vendos mbyllja e dy korsive të saj për dy orë, në mënyrë që të bëhej pastrimi nga dëbora. Nga ana tjetër, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka paraqitur informacionet e fundit lidhur me situatën e akseve nacionale në vend. Zëdhënësja e Ministrisë së Transporteve tha dje se qarkullimi është normalizuar, ndërsa akset rrugore që vazhdojnë të mbeten sërish bllokuara janë: Bajram Curri-Fierzë, Topojan-Shishtavec dhe Qafë Mali-Fierzë, i cili vijon të mbetet i bllokuar nga ortekët. Akset rrugore Qafë Buall-Ura e Topojanit është e kalueshme vetëm me zinxhirë, Korçë-Voskopojë me një kalim e kalueshme vetëm me zinxhirë, aksi Kukës-Krumë është e kalueshme me zinxhirë.

I ftohti, KESH siguron energjinë për muajin shkurt

Energjia për muajin shkurt është e siguruar, ndërkohë që për marsin ende nuk ka asnjë kontratë përfundimtare. Kreu i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Engjëll Zeqo, deklaroi dje se moti i keq ka ulur prodhimin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit ku importohet energji. Sipas tij, KESH është duke punuar që të sigurojë energjinë në vijim, por nga ana tjetër, edhe çmimi i saj është i lartë. Për momentin Shqipëria është duke blerë energji me çmimin 70-75 euro për megavat orë. Nga ana tjetër, Engjëll Zeqo shpjegon se problemi financiar është i zgjidhur përderisa qeveria është e gatshme të rishikojë buxhetin për të siguruar energjinë, ndërkohë që “CEZ” do të shlyejë javën e ardhshme 4 miliardë lekë të borxhit që i ka KESH-it. Pritet që situata hidrike të përmirësohet në muajin mars pas shkrirjes së borës, pasi tani prurjet në hidrocentrale janë shumë të ulëta. Problemi financiar është i zgjidhur përderisa qeveria është e gatshme të rishikojë buxhetin për të siguruar energjinë, ndërkohë që “CEZ” deri tani ka shlyer 19 miliardë lekë të borxhit që i ka KESH-it. Shqipëria importon per momentin rreth 12 milionë kilovat orë në ditë, ndërkohë që konsumi ditor i energjisë elektrike llogaritet në rreth 25 milionë kwh. Të dy kompanitë si “CEZ”, ashtu dhe KESH kanë kontrata që garantojnë importin deri në fund të muajit, ndërkohë që pritet ndryshim i gjendjes për muajin mars për shkak të shirave dhe shkrirjes së dëborës. Megjithatë, ky është skenari optimist, pasi nëse reshjet e dëborës zgjatin dhe tregu mbetet i mbyllur, atëherë Shqipëria mund të përballet me ndërprerje energjie. Kjo pasi rezervat hidrike në vend janë në minimum. Niveli i ujit në Fierzë është vetëm 259 metra dhe vazhdon të ulet, sepse KESH po detyrohet të prodhojë me ritme të larta, për të kompesuar mungesën e importit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›