Cameron: Portat e Bizantit ishin në Durrës
Alma Mile
Ndërsa ende debatohet nëse është Lindje, apo Perëndim, ajo thotë se Bizanti është një urë mes këtyre dy botëve. E ardhur në Tiranë për të prezantuar librin e saj “Bizanti”, një nga historianet më të njohura të kësaj periudhe, Averil Cameron (profesoreshë e lashtësisë së vonë dhe e historisë së Bizantit në Oksford dhe drejtore e kolegjit “Keble”), ishte dje e pranishme në një tryezë të rrumbullakët me kolegët e saj shqiptarë. Cameron shfrytëzoi rastin për të folur mbi historinë e Bizantit, të cilën e serviri edhe përmes librit të saj. E ndodhur përballë përkufizimeve nga më të ndryshme për këtë periudhë historike, mes të cilave edhe një “mungesë”, historiania është e mendimit se “që të kuptosh historinë e Evropës e më së shumti të vendeve të Evropës Lindore e Qendrore, duhet të njihet mirë historia e Bizantit”. Të flasësh për perandorinë bizantine, nuk mundet të mos flasësh edhe për Shqipërinë (Ilirinë), e cila pavarësisht vendit që ka zënë në trajtime të ndryshme historiografike, ishte një nyje lidhëse shumë e rëndësishme e perandorisë. E pyetur pikërisht për vendin që ajo zinte në këtë perandori të madhe, Cameron thotë, se “padyshim shumë të rëndësishme, por do të veçoja këtu disa qytete. Durrësi është një pikë shumë-shumë e rëndësishme, Apolonia, Butrinti gjithashtu. Edhe Shkodra, por Durrësi në veçanti”, thotë ajo. “Është fundi i rrugës Egnatia, është një portë mes lindjes dhe perëndimit, drejt brigjeve të Italisë, drejt pjesës tjetër të Evropës. Është një rrugë militare. Ndër të tjera, të gjithë që shkonin e vinin në Kostandinopojë kalonin përmes asaj rruge. Kjo është e çuditshme, sepse është një rrugë e vështirë, për shkak të terrenit malor”. Cameron nuk e përjashton mundësinë që edhe qytete të tjera shqiptare, të kenë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë periudhë, megjithatë informacioni që vjen deri më sot, nuk e lejon një gjë të tillë. Nuk duhet harruar gjithashtu, që nga Durrësi kanë dalë edhe perandorë. Një ndër ta ishte edhe Anastasi(491-518) që pati një përkrahje të gjerë në popull e sigurisht Justiniani, emri i të cili është tepër i lakuar në histori.
E trajtuar herë-herë nën ngjyrimet sllave, sipas interesave të historianëve rusë, Perandoria Bizantine dhe koha e sundimit të saj, që nis që me ngritjen e Kostandinopojës në shek.IV dhe shënon fundin me pushtimin e saj nga perandoria osmane, ngre sot shumë pikëpyetje. Nis që me pozicionimin e saj (Lindje apo Perëndim), etnitë, identitetin, gjuhën, por edhe fenë. Ishte pikërisht Bizanti “toka”, ku u takua krishterimi me islamin. Sipas historianes, studimi i kësaj periudhe të historisë nuk është aspak e lehtë. Kjo për faktin se arkivat dokumentare janë shumë të pakta. Cameron e justifikon këtë me bastisjen e Bibliotekës së Kostandinopojës. Kanë ardhur deri në ditët tona, qindra vula që kanë vulosur dokumente të rëndësishme të kohës, por vetë dokumentet janë të pakta. Janë me shumicë arkivat letrare dhe fetare të kohës, por që gjithsesi, nuk janë të mjaftueshme dhe nuk mund të merren si një dokument bazë për të ndërtuar sistemin e funksionimit të politikës, shoqërisë, etj. Kufijtë politikë të ndryshuar në kohë, emrat, të cilët nuk ruajnë vazhdimësinë nga pararendësit, gërmimet arkeologjike, të cilat kanë ende shumë për të zbuluar, e bëjnë studimin e kësaj periudhe shumë të vështirë. “Kufijtë dhe shtrirja e perandorisë ka ndryshuar vazhdimisht, kemi dyndjen e popujve të tjerë në këto territore si bullgarë, sllavë, turq, arabë. Gjithçka ndryshoi në perandori, edhe politikat me përjashtime të vogla”, thotë Cameron, ndërsa shton se pavarësisht të gjithave është një periudhë, e cila tërheq shumë vëmendjen, po kështu edhe territoret e saj, të cilat dikur karakterizoheshin nga një bukuri mahnitëse. “Udhëtarë nga perëndimi, Anglia, apo Rusia, janë mahnitur nga ajo që kanë parë në Kostandinopojë, sepse ishte një qytet shumë i madh, më i rëndësishmi në kohën e vet, më i madh se Londra e se Parisi”, thotë ajo. Në librin e saj, “Bizantinët”, të sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Dituria”, Cameron përpiqet, që në një hapësirë të kufizuar, të shpjegojë se çfarë është Bizanti dhe bizantinët dhe në mënyrë të përmbledhur tregon kronologjinë historike, nëpër të cilën ka kaluar kjo perandori dhe popujt, që u përfshinë në të.