Vokshi: Gratë në PS të distancohen nga dhuna e Ramës
Kryetarja e Forumit të Gruas të Partisë Demokratike, Albana Vokshi, u bëri dje thirrje kolegeve deputete të opozitës të distancohen nga fenomenet e ushtrimit të dhunës nga lideri i tyre, Edi Rama. Deputetja Vokshi përmes një konference për shtyp tha se "gratë deputete të Partisë Socialiste duhet t’i thonë stop dhunës së liderit të tyre për të vazhduar së bashku luftën tonë, për të krijuar një botë ku çdo grua të trajtohet me respekt dhe dinjitet". Sipas saj: "Dhuna e Ramës në familje nuk është aspak shpifje, ashtu siç pretendohet nga zëdhënësit e keqpërdorur të PS-së, por janë fakte konkrete dhe ekstrakte nga dëshmitë në gjykatë”. “Për këtë arsye i bëj thirrje edhe një herë Forumit të Gruas të PS-së dhe deputeteve të opozitës të firmosin këtë peticion ndërkombëtar e të distancohen nga fenomenet e shëmtuara të keqtrajtimit dhe ushtrimit të dhunës nga lideri i opozitës, i cili po mbyt çdo zë të qenësishëm gruaje në parti dhe jashtë saj”, - deklaroi znj. Vokshi. Deputetja e PD-së shtoi: "LDGSH do të vazhdojë me intensitet e pa u ndalur përballë presioneve të liderit të opozitës, punën për materializimin e aspiratave për të promovuar rolin e gruas në shoqërinë shqiptare".