E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji anti-mafie, Berisha: Kupolën do e vendosim pas hekurave



Kryeministri Sali Berisha ka bindjen e plotë se ligji anti-mafia do të bëjë të mundur vendosjen pas hekurave të kupolës mafioze në Shqipëri. Duke folur në Parlament për miratimin e ligjit antimafia, Berisha vuri në dukje se ky është një nga ligjet më me rëndësi që po miratohet pas moratoriumit të skafeve. Berisha akuzoi sërish Edi Ramën se i ka shprehur solidaritet kupolës së mafies. Berisha i kujtoi liderit opozitar se “koha kur ti mbaje peng procesin zgjedhor, duke dhënë leje ndërtimi për klanin mafioz, ka marrë fund. Ligji do veprojë me të gjithë forcën e tij, pa asnjë ngjyrë partiake dhe politike”. Replikat në distancë me Ramën, Berisha i lidhi përsëri me ligjin antimafia. “Rama mos ki merak se ashtu siç vendosa pas hekurave, Aldo Baren, Lul Berishën, ashtu do të bëj edhe me kupolën, qofshin me imunitet, qofshin pa imunitet”. Sipas Berishës, miratimi i këtij ligji përbën rëndësi jetike për të ardhmen evropiane të shqiptarëve. “Një nga ligjet më themelore më të rëndësishme për sigurinë e jetës pronës dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, miratohet një nga ligjet më të rëndësishëm pas moratoriumit të skafeve, një ligj për të ardhmen evropiane të shqiptarëve dhe Shqipërisë”, - u shpreh Berisha. Me miratimin e këtij ligji dëshmohet vullnet i hekurt për t’u përballur me krimin e organizuar. “Ky ligj dëshmon para evropianëve vullnet të hekurt të sovranit, për t’u përballur dhëmbë për dhëmbë me tolerancë zero ndaj krimit dhe mafies”, - theksoi z. Berisha. Sipas Berishës, ligji që miratohet sot është produkt i një pune të madhe dhe i bashkëpunimeve me ndërkombëtarët. “Ligji është produkt i një pune jashtëzakonisht serioze i juristëve tanë më të mirë dhe i agjencive të huaja që ndihmojnë Shqipërinë”. Berisha është shprehur se këto veprime janë marrë për të trembur mafien dhe krimin e organizuar. “Nuk ngurojmë të marrim çdo veprim për të luftuar krimin e organizuar, nga ky ligj do të trembet vetëm mafia, duhet të tronditet vetëm mafia. Ky ligj garanton çdo biznes shqiptar nga kthetrat dhe tentakulat e mafies”. Berisha u shpreh në Kuvend, se lufta e tij me krimin vazhdon, deri në çmontimin e mafies. “Ne bllokuam trafiqet, çmontuam bandat më të rrezikshme të Evropës, vumë përpara drejtësisë me mijëra shkelës të ligjit, por ne nuk çmontuam mafian, sepse duhet të analizonim probleme të tjera. Sot Edi Rama i shprehu solidaritet kupolës së mafies me të cilët ndau 570 milionë euro”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›