Athina, 26 milionë euro në ndihmë të emigrantëve
Qeveria greke ka publikuar programin e saj për integrimin e emigrantëve të huaj të ligjshëm që ndodhen në vend dhe që arrijnë në më shumë se gjysmë milioni. Programi, me vlerë rreth 26 milionë euro, do të financojë deri në vitin 2013 një numër veprimtarish që kanë për qëllim bashkëjetesën sa më harmonike të emigrantëve me shoqërinë vendase. Duke paraqitur programin, ministri i Brendshëm grek ka thënë se integrimi nuk presupozon asimilimin e emigrantëve dhe se do të bëhet duke respektuar të drejtat e tyre. Gati dy dekada pas vërshimit masiv të emigrantëve ekonomikë drejt Greqisë, qeveria vendase ka bërë një hap tjetër në rrugën e konsolidimit të politikave efektive për emigracionin. Nëpërmjet programit synohet të arrihet integrimi normal i mëse 550 mijë emigrantëve të ligjshëm që ndodhen aktualisht në Greqi. Ai ndahet në gjashtë nënprograme për çdo sektor të integrimit, të cilat kanë të bëjnë sa me sensibilizimin e opinionit publik për eliminimin e fenomeneve të racizmit e të ksenofobisë, aq edhe për informimin dhe përkrahjen e emigrantëve përsa i përket aksesit të tyre në tregun e punës, si dhe në shërbimet e shëndetësisë, arsimit dhe strehimit. Më konkretisht, parashikohen subvencionime për mësimin e gjuhës e të historisë greke nga ana e emigrantëve, kualifikimi profesional i tyre, por edhe zhvillim seminaresh me gazetarët grekë, që këta t’i përcjellin shoqërisë vendase mesazhe bashkëjetese harmonike me emigrantët. Theksi i veçantë vihet në veprimtari që u kushtohen grupeve të emigrantëve, të cilët kanë nevojë për përkrahje më të madhe, siç janë gratë dhe fëmijët, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit.
6 Mars 2009