E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urbanistika e Tiranës. Aplikimet për leje ndërtimi, 300 dosjet që janë refuzuar për 2009-n

Listat me emrat e qytetarëve dhe subjekteve private që iu kthye mbrapsht dosja. Arsyet që kanë dhënë specialistët e Urbanistikës për refuzimin e kërkesës

Laureta Rryçi

Tiranë - Zyra e Urbanistikës së Tiranës ka kthyer mbrapsht kërkesat e më shumë se 300 qytetarëve që kanë aplikuar gjatë këtij vitit për leje apo shesh ndërtimi. Sipas njoftimeve zyrtare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kontrollit dhe Zhvillimit Urbanistik e Territorit (DPKZHUT), shkak për refuzimin e kërkesës janë bërë mungesa e dokumentacionit si dhe u mungonin projektet urbanistike. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë emrat e qytetarëve që kanë aplikuar në këtë drejtori dhe i boton në numrin e sotëm.
Aplikimet
Në morinë e aplikimeve për leje për shesh ndërtimi, këtë vit, edhe pse kanë kaluar vetëm dy muaj, ka pasur një numër të konsiderueshëm dosjesh që janë refuzuar. Këto kërkesa rezultojnë të jenë bërë jo vetëm nga bizneset që merren me ndërtim, por edhe nga qytetarët, të cilët duan të marrin leje për ndryshime që mund të bëjnë në shtëpi apo në biznesin privat që kanë. Lista e mëposhtme u përket aplikimeve që u ndërpritet procedimi administrativ i kërkesave për leje shesh ndërtimi dhe leje ndërtimi. Në njoftimin zyrtar thuhet se në mbështetje të detyrimit për dhënie informacioni, Bashkia e Tiranës, në zbatim të Ligjit Nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë” (nenet 13, 20, 51 dhe 56), informon qytetarët se: pas verifikimeve të dokumentacionit të kërkesës së paraqitur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kontrollit dhe Zhvillimit Urbanistik e Territorit (DPKZHUT), për leje shesh ndërtimi, si dhe në vijim të informimit verbal, dokumentacioni i paraqitur ka një sërë mangësish.
Refuzimi
Sipas specialistëve që kanë gjykuar refuzimin e dosjeve për shqyrtim të mëtejshëm, dosjeve u mungojnë tre dokumentacione ligjore. Në mbështetje të Ligjit 8405, dt. 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, neni 39, kërkesa për shesh ndërtimi nuk është zbatuar në studimin urbanistik pjesor të miratuar të zonës në fjalë. Dosja paraqet mangësi në dokumentacionin tekniko-ligjor që shoqëron kërkesën e sipërpërmendur, sipas Ligjit 8405, dt. 17.09.1998 “Për Urbanistikën”. Ka pasur mungesë interesimi në plotësimin e dokumentacionit sipas kërkesave të përcaktuara për miratimin e lejes së sheshit të ndërtimit. Për sa më sipër dhe në mbështetje të Ligjit Nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë” (neni 85); Ligjit Nr. 8405 dt. 17.09.1998 “Për Urbanistikën” (neni 22/1, pika 7 dhe neni 39) në rast të mosplotësimit të mangësive të sipërpërmendura brenda 10 ditësh nga data e lajmërimit, ju njoftojmë se Bashkia e Tiranës ndërpret procedimin administrativ të kërkesës tuaj. Më poshtë do të gjeni listën e aplikimeve/dosjeve, të cilat kanë mangësi në dokumentacionin e paraqitur pranë DPKZHUT.

6 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›